E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK-ja dhe VV-ja i kërkojnë seriozitet Qeverisë në politikën e jashtme

Opozita i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të ndalojë, siç e ka quajtur, manipulimin e publikut duke i servirur informata konfuze dhe të pakonfirmuara si ajo se Mali e ka njohur shtetin e Kosovës.

Për më tepër një veprim të tillë e ka shpallur gjithçka tjetër pos profesionalizëm dhe seriozitet.

Të gjitha këto reagime kanë ardhur një ditë pasi Presidenca e Malit ka mohuar se e ka njohur Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Partia më e madhe në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes Këshillit të Ekspertëve për Politikë të Jashtme, ka thënë se një sjellje e tillë sikur kjo e prezantimit të njohjes pa ndodhur ajo, e dëmton imazhin e Kosovës.

“Kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës është një manipulim i ulët me opinionin publik duke i servuar informata konfuze dhe të pakonfirmuara. Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë raportet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit. Për më tepër, kjo sjellje dëmton rëndë edhe imazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Kosovës në përgjithësi dhe dëshmon edhe një herë çakordimin e Qeverisë për sa i përket politikës së jashtme të Kosovës”, kanë thënë partia që drejtohet nga Isa Mustafa. “LDK-ja u bën thirrje MPJ-së dhe Qeverisë së Kosovës të ndalë manipulimin e opinionit publik dhe lojën e meritave për njohje duke dëshmuar seriozitet në punë dhe ngritje të kredibilitetit, edhe ashtu të dëmtuar rëndë të politikës së jashtme të Kosovës”.

Kundrejt rastit Mali nuk ka heshtur as subjekti i dytë më i madh në opozitë, lëvizja “Vetëvendosje”. Anëtarja e Kryesisë së “Vetëvendosjes”, Puhie Demaku, gjithë atë që ka ndodhur me shtetin afrikan e ka përshkruar si amatorizëm dhe joseriozitet të institucioneve të Kosovës për t’u marrë me shtetin, sovranitetin dhe shtetësinë e vendit.

“Po duket qartë që për ta mbrojtur imazhin si koalicion qeverisës dhe mospunën e tyre në publik, janë të gatshëm që edhe të gënjejnë publikisht për punën e njohjeve. Edhe njëherë po dëshmohet se ngecja në procesin e njohjeve po vjen si pasojë e mostransparencës dhe inateve personale që ekzistojnë mes palëve të involvuara, kuptohet pra brenda vetë koalicionit qeveritar”, ka thënë ajo.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›