E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e zgjerimit

Kryeministri Hashim Thaçi ka dërguar mesazhe të reja për opozitën, duke lënë të hapur mundësinë që në Qeveri të futet edhe një subjekt tjetër politik. Sipas tij, tani ka hapësirë për zgjerim të koalicionit ekzistues, edhe pse ditë më parë kishte mohuar mundësinë e ndryshimeve në skenën politike. AAK tashmë ka shprehur haptas synimin për t’u bërë pjesë e një koalicioni me PDK’në.

Para nisjes së bisedimeve politike me Serbinë, Kosova do të ketë nevojë për një unitet dhe mekanizma gjithëpërfshirës nga i gjithë spektri politik, ka deklaruar Kryeministri i Hashim Thaçi.

Ai ka theksuar se nuk do të ketë prishje të koalicionit aktual, por mund të ketë zgjerim me ndonjë subjekt tjetër politik.

“Koalicion të ri nuk do të ketë para zgjedhjeve të rregullta nën afatin kushtetues, gjithmonë ka hapësirë për zgjerim dhe forcim të institucioneve. Partnerët e koalicionit e respektojnë kontratën e arritur, ndërsa sa i përket marrjes së përgjegjësive, në nivele politike, natyrisht se do të punojmë me gjithë spektrin politik”, ka thënë kryeministri i Kosovës në një intervistë për Radion Europa e Lirë.

Ditë më parë në një intervistë Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës kishte mohuar mundësinë e ndryshimeve në skenën politike duke thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në afat të rregullt kushtetuese duke përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme në vend.

Në këtë mënyrë Thaçi u ishte përgjigjur paralajmërimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka shfaqur gatishmëri për të hyrë në një Qeveri më PDK’në për shkak të “interesave të vendit”.

Këtë gatishmëri AAK e ka shfaqur përmes Nënkryetarit të saj të parë Blerim Shala.

Kundër një koalicioni me PDK’në janë shprehur dy partitë tjera opozitare LDK dhe Vetëvendosje.

Ato po ashtu kanë kundërshtuar edhe procesin e bisedimeve me Serbinë.

E kur është fjala te bisedimet Thaçi është shprehur hapur se në këtë proces dëshiron të hyjë duke pasur edhe mbështetjen e opozitës. Ai madje ka thënë se bisedimet duhet të zhvillohen duke pasur për model procesin e Rambujesë dhe Vjenës kur I tërë spektri politik ishte bashkuar për tu përballur me Serbinë.

Këtë Thaçi e ka përsëritur edhe të shtunën.

“Ne kemi qenë bashkërisht në kohë të krizës, në kohë të luftës, të paqes, të statusit politik dhe kemi fituar, prandaj edhe tash kam besim të plotë që të bashkuar do të dalim edhe më të konsoliduar dhe më të fuqishëm. Është momenti që secili, në këto çaste historike për vendin tonë, t’i lëmë anash interesat personale, interesat grupore, partiake dhe secili të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona dhe të punojnë në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

E testin e unitetit Thaçi do ta sprovojë gjatë muajit shtator kur vendi do të përmbyllë pavarësinë e mbikëqyrur.

Në mbledhjen e së premtes së Qeverisë së Kosovës ai ka paralajmëruar se votat e opozitës për këtë qëllim do t’i sigurojë lehtë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›