LDK raporton shkelje në Gjilan dhe Shtime
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që në orët e para pas hapjes së vendvotimeve, ka raportuar një shkelje, që ata e kanë quajtur teknike, që thuhet se është bërë nga rivalët e tyre kryesorë në Gjilan dhe në Shtime.
Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, njëherësh nënkryetar i kësaj partie, Lutfi Haziri, tha se në komunën e Gjilanit, kandidati i PDK-së është parë duke shpërndarë materiale të PDK-së. Ai theksoi se gjatë ditës së sotme nuk lejohet që asnjë nga kandidatët të ndikojë te votuesit.
Haziri beson se kjo shkelje ka ardhur më tepër si pasojë e mosnjohjes së procedurave.
LDK do të mbajë konferenca të rregullta për shtyp, çdo dy orë, gjatë ditës së sotme, deri në mbyllje të vendvotimeve.
Në konferencën e parë, Haziri tha se sipas raportimeve nga komisionarët e tyre në terren shumica e vendvotimeve janë hapur me kohë dhe nuk ka probleme të theksuara.
"Shenjat e para janë se do të ketë dalje të mirë të zgjedhësve... Është një ditë e mirë për Kosovën", ka thënë nënkryetari i LDK-së.
Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate për shtyp, edhe shtabi zgjedhor i Degës së LDK-së në Shtime, ka denoncuar shkeljen e rregullave zgjedhore në dy qendra votimi në Shtime si dhe në qendrën e votimit në fshatin Pjetërshticë të kësaj komune.
"Në Shtime, në qendrën e votimit në Shkollën e Mesme 'Naim Frashëri' dhe në qendrën e votimit në shkollën fillore 'Emin Duraku', në kundërshtim me rregullat zgjedhore, vullnetarë të PDK-së, kanë hyrë dhe po veprojnë brenda qendrave të votimit, me karta identifikimi me numrat 51, që është numri i kësaj partie në fletët e votimit", thuhet në reagim.
Gjithashtu, në qendrën e votimit në fshatin Pjetërshticë, aktivistë të PDK-së thuhet se janë duke qëndruar në një klasë të shkollës fillore "Idriz Ajeti", ku po zhvillohet procesi zgjedhor, duke shkelur në këtë mënyrë rregullën zgjedhore, e cila ua ndalon të gjithë personave të paautorizuar qëndrimin në një qendër votimi apo në vendvotim.
LDK në Shtime thotë se për këto shkelje ka njoftuar Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ), kurse komisionerët dhe vëzhguesit e LDK-së, sipas rregullave, këto shkelje i kanë evidentuar me shkrim edhe në fletoren e vërejtjeve. (Express)