E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PDK: Fituam Kosovën. LDK: Morëm Prishtinën pa balotazh

PRISHTINË(UPDATE)- Komisioni Qendror Zgjedhor ka arritur që në orët e para të ditës së sotme të japë rezultatet paraprake për vetëm 9 komuna të Kosovës, dhe ato kryesisht komuna të vogla, apo të sapokrijuara në bazë të procesit të decentralizimit.

Rezultatet janë prezantuar në orën 04:00 të mëngjesit nga kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e cila ka rikujtuar faktin se këto rezultate edhe mund të pësojnë ndryshime, pasi aty nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, dhe votat përmes postës.

Edhe partitë politike kanë shpallur rezultatet pas mbylljes së vendvotimeve.
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ka fituar në 20 komuna të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, që drejton këtë parti, ka thënë se ndër qendrat e mëdha, PDK-ja ka fituar në Prizren, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj.

Kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar dhe uruar edhe subjektet tjera politike për fushatën e bërë gjatë katër javëve të fundit.

"Urime të gjitha partive politike, urime të gjithë kryetarëve të zgjedhur të të gjitha partive politike. Faleminderit të gjithëve për fushatën e qetë, të lirë dhe demokratike", ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas nënkryetarit Lutfi Haziri, ka fituar bindshëm në kryeqytet.

"LDK-ja ka shënuar fitore të madhe në Prishtinë. Kryeqyteti ka dominuar me votë absolute", ka thënë Haziri.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka fituar që në raundin e parë në 4 komuna, ndërsa në 10 të tjera do të shkojë në balotazh.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se përveç tri komunave që ka udhëhequr deri më tash, Pejës, Gjakovës, Deçanit, ka fituar edhe në komunën e katërt, në Junik.

Ndërkohë, partitë tjera, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, kanë kritikuar subjektet politike që kanë dalë me rezultate para se ato t'i shpallte Komisioni Qendror Zgjedhor.


Rezultatet zyrtare më të plota janë njoftuar për sot në orën 19:00, ndërsa rezultatet preliminare të KQZ-së janë si vijon:

Klinë
Enver Berisha, AAK - 5.337 vota
Haki Morina, PSK - 162 vota
Sokol Bashota, PDK - 6.153 vota
Pjeter Coli, PSHDK - 459 vota
Zenun Zeqa, LDD - 706 vota
Adem Gashi, 98 vota
Fadil Gashi, LDK - 3.555 vota
Ibish Rraci, PSD - 118 vota

Shtime
Hetem Pajaziti, AAK - 382 vota
Naim Ismajli, PDK - 5.400 vota
Enver Ademi, LDD - 1477
Ismail Hasani, LDK - 2.655 vota
Halil Halili, PSD- 545 vota

Obiliq
Enver Gashi, AAK - 1.965 vota
Haki Mjekiqi, PDK - 2.850 vota
Hamdi Tovërlani, AKR - 358 vota
Aziz Bici - 183 vota
Shukri Klinaku, LIB - 1.238 vota
Mehmet Krasniqi, LDK - 2.160 vota
Sejdi Halimi, PEK - 15 vota
Sanije Graiqevci, PSD - 68 vota

Dragash Burim Piraj, AAK - 878 vota
Salim Jonuzi, PDK - 4.962 vota
Fitim Tefiku, AKR - 392 vota
Qasip Kushi, Vakat - 1.609 vota
Halim Shemsedini, LDK - 4.652 vota

Junik
Agron Kuçi, AAK - 1.081 vota
Nimon Tofaj, PDK - 127 vota
Ali Kasumi, AKR - 23 vota
Shpejtim Gacaferri, LDD - 231 vota
Tahir Isufaj, LDK - 622 vota

Hani i Elezit
Rufki Suma - 1.833 vota
Menduh Vllashi, AAK - 214 vota
Mehmet Ballashi, PDK - 1.519 vota
Myzafer Dernanji, LDK - 583 vota

Mamusha
Berzad Morina, PDK - 333 vota
Arif Bytyqi, KDTP - 1.402 vota
Mehmet Mazrek, AKR - 197 vota

Ranillug
Perica Andjelkovic, SKMS - 167 vota
Dragimir Mikic, GIOR - 397 vota

Leposavic
Ardita Hasani, AAK - 30 vota



Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Pjesëmarrja 45.36%

UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës njofton se rreth 45.36 për qind e elektoratit ka dalë në votime gjatë ditës së sotme.

Vendvotimet janë mbyllur në orën 19:00, ndërsa zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se 709,362 votues në nivel të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit.



Pjesemarrja deri ne oren 15.30

Në gjithë Kosovën, deri në orën 15.30 kanë votuar 32.86% e votuesve. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë hedhur votën e tyre për vendorët 513 mijë e 805 zgjedhës persona ose 32.86 për qind. Në komunat e vendit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja është si më poshtë:

Deçan 32. 42 %
Gjakovë 36. 67 %
Drenas 38.53 %
Gjilan 35. 63 %
Dragash 28.80 %
Istog 32.76%
Kaçanik 37. 80 %
Klinë 38.36 %
Fushë Kosovë 31.95 %
Kamenicë 36.12 %
Mitrovica 25.55 %
Leposaviq 0.48 %
Lipjan 36.60 %
Novo Bërdë 17.47%
Obiliq 32.46 %
Rahovec 31.31 %
Pejë 30.93 %
Podujevë 40.02 %
Prishtinë 30.55 %
Prizren 30.08 %
Skenderaj 41.36 %
Shtime 37.36 %
Shtërpcë 23.44 %
Suharekë 41.16 %
Ferizaj 30.08 %
Viti 38.45 %
Vushtrri 32.77 %
Zubin Potok 5.61 %
Zveçan 0.64 %
Malishevë 41.79 %
Junik 39.58%
Mamushë 43.39 %
Hani i Elezit 47.33 %
Graçanicë 14.22 %
Ranillug 9.15 %
Kllokot 13.93 %



ora 16.40
'Demokracia në Veprim', raporti i parë për zgjedhjet në Kosovë

UPDATE- Koalicioni i OJQ-ve "Demokracia në Veprim", ka publikuar raportimet e para nga terreni, bazuar në raportet e vëzhguesve të Demokracisë në Veprim. Bazuar në të dhënat e pardites, në përgjithësi, procesi i votimit është zhvilluar i rregullt, me përjashtim të disa rasteve të caktuara të parregullsive dhe incidenteve.

Deri në orën 10:00, janë paraqitur disa parregullsi: Në Prizren, Sreckë dhe Novosellë, ka pasur vonesa në procesin e fillimit të votimeve. Në Malishevë, fshati Temeqinë, procesi i votimit ka filluar me vonesë. Vonesa ka pasur edhe në fshatin Novak të Prizrenit.

Po ashtu, kanë ndodhur disa raste ku kanë munguar materialet. Në Fshatin Sreckë të Prizrenit, ka munguar fillimisht vula, në Mitrovicë ka munguar lampa, në Podujevë-Pollatë ka munguar kapaku i kutisë, me ç'rast ka pasur improvizim të kapakut.

Një element i përgjithshëm në tërë Kosovën, është mungesa e listave të kandidatëve nëpër kabina. Në disa raste ka pasur edhe disa incidente të vogla.

Në fshatin Brod të Shtërpces, ka pasur disa tensione, me ç'rast Policia ka qëndruar brenda vendvotimeve. Policia brenda vendvotimeve, kjo për shkak të tensioneve, ka qëndruar edhe në Tusus të Prizrenit dhe në Prishtinë.

Në fshatin e Ri, në Malishevë, ka pasur një rast ku kryesuesi i një vendvotimi ka shtyrë votuesit të votojnë numrin 30 - PDK. Në Mitrovicë, në qendrën e votimit në shkollën Ismail Qemali, ka pasur raste të votimeve familjare.

Në disa raste, në komuna të ndryshme, si Mitrovicë, Pejë e Rahovec, ka pasur ndërrim të vendvotimeve, ku më pas ka shkaktuar rritje të numrit të votuesve me kusht. Në disa raste në Rahovec kanë munguar zarfet e vegjël për votim me kusht. /Telegrafi/



ora 13.50
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Kanë votuar 15.29% e zgjedhësve

UPDATE- KQZ-ja në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 11 e 30 minuta në tërë republikën kanë votuar 239 mijë e 154 votues apo 15.29 për qind. Të dhënat zyrtare për secilën komunë të vendit janë:

Deçan 13.79 %
Gjakovë 14.97 %
Drenas 16.30 %
Gjilan 13.21 %
dragash 1.33 %
Istog 13.84%
Kaçanik 16.60 %
Klinë 20.68 %
Fushë Kosovë 13.17 %
Kamenicë 13.72 %
Mitrovica 15.64 %
Leposaviq 0.32 %
Lipjan 17.11 %
Novo Bërdë 7 %
Obiliq 14.75 %
Rahovec 14.84 %
Pejë 14.03 %
Podujevë 15.69 %
Prishtinë 18.07 %
Prizren 15.51 %
Skenderaj 21.95 %
Shtime 21.82 %
Shtërpcë 10.57 %
Suharekë 21.69 %
Ferizaj 13.21 %
Viti 20.45 %
Vushtrri 12.76 %
Zubin Potok 2.42 %
Zveçan 0.21 %
Malishevë 19.81 %
Junik 19.13 %
Mamushë 24.06 %
Hani i Elezit 23.34 %
Graçanicë 8.46 %
Ranillug 2.92 %
Kllokot 6.10 %



Kosova zgjedh drejtuesit lokalë, KQZ: Në veri nuk votohet

PRISHTINË- KQZ njoftoi se janë hapur pothuaj të gjitha qendrat e votimit, përveç atyre në komunat në veri të Kosovës. Mbi 1.5 milion qytetarë me të drejtë vote zgjedhin kryetarët e komunave dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.

Përjashtim, sipas kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, bëjnë qendrat e votimit në komunat veriore të Kosovës.

"Përqindja e vendvotimeve të hapura është 98.49%. Ndërsa, në 1.55 për qind, vendvotimet nuk janë hapur", tha Lushta në konferencën për gazetarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, që sivjet i organizon zgjedhjet pa ndihmën ndërkombëtare.

Lushta bëri të ditur se vendvotimet nuk janë hapur tërësisht në komunat në veri të Kosovës, ku komuniteti serb është treguar i rezervuar në lidhje me votimet.

"Ne kemi planifikuar paraprakisht se nëse ndodh një situatë e tillë, aty të hapen vendvotimet alternative ose të dërgohen ekipet mobile", tha Lushta.

Ndryshe, në tri komunat e reja me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, sipas Nesrin Lushtës, janë hapur të gjitha vendvotimet.

"Në Graçanicë janë hapur 25 vendvotime, në Ranillugë - 7 dhe në Kllokot - 5", tha Lushta.

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka bërë të ditur pjesëmarrjen e deritashme të votuesve, ndërkohë që ka njoftuar se rrjedha e votimit është duke shkuar në mënyrë të rregullt.

Në zgjedhjet lokale, ku do të zgjidhet kryetari i komunës dhe këshilltarët komunalë, marrin pjesë 74 subjekte politike, nga to 34 subjekte politike shqiptare, 22 serbe, 7 boshnjake, 4 turke, nga dy ashkalinje dhe të Malit të Zi, një e egjiptasve, goranëve dhe romëve.

Në zgjedhjet e gjashta me radhë që nga paslufta, të drejtë vote kanë më shumë se një milion e gjysmë qytetarë.

KQZ thotë se listat e votuesve janë të rifreskuara me të dhëna të reja, por, për një çështje të tillë, disa nga anëtarët e KQZ-së patën kritikuar institucionet e vendit dhe vetë KQZ-në, se nuk kanë rifreskuar mirë dhe me kohë listën e votuesve.

Ata patën thënë se nga kjo listë nuk ishin larguar emrat e atyre që nuk jetojnë më.

Specifika e zgjedhjeve të sivjetme është se ato po zhvillohen edhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: në Graçanicë, në Kllokot dhe në Ranillugë.

Këto komuna u formuan gjatë verës së sivjetme, në kuadër të planit të decentralizimit.

Ndërsa, edhe pse të parapara me këtë plan qenë edhe dy komuna tjera, ajo e Parteshit dhe Mitrovica veriore, ato nuk u formuan për shkak të mosinteresimit të komunitetit lokal.

Institucionet thonë se në këto dy vendbanime, zgjedhjet do të mbahen pas 6 muajve.

Zgjedhjet lokale do të vëzhgohen nga vëzhgues vendës dhe ndërkombëtarë. Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim" ka angazhuar rreth 2,400 vëzhgues.

Nesrin Lushta shpjegoi:

"Janë 746 qendra të votimeve dhe 2,256 vendvotime në këto qendra votimi. Zgjedhjet do të zhvillohen në 12 rajone zgjedhore, në 36 komuna të Kosovës. Ndërsa, nga KQZ-ja tashmë janë akredituar mbi 21,300 vëzhgues".

Nga ana tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se janë marrë të gjitha masat që procesi zgjedhor të zhvillohet pa probleme.

Granit Fetahu, drejtor i policisë për planifikim dhe zhvillim pranë departamentit të rendit publik, bëri të ditur se për sigurinë janë të angazhuar më shumë se 5 mijë policë.

"Policia e Kosovës është shumë e përgatitur për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor. Planifikimet kanë filluar shumë herët; të gjitha çështjet janë të planifikuara. Policia e Kosovës ka një numër të madh të zyrtarëve policorë të angazhuar, diku më tepër se 5 mijë".

"Të gjitha qendrat e votimit, të gjitha depot, të gjitha vendet ku do të jetë materiali sensitiv, do të sigurohen nga policia. Nuk do të lejohet lëvizje e materialeve dhe fletëvotimeve pa prezencën e policisë. Po ashtu, po ofrojmë siguri për të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë", tha Fetahu.

Përfaqësues të misioneve ndërkombëtare u kanë bërë thirrje të gjithë vëzhguesve që të jenë syhapur gjatë procesit të votimit. (rel)

****

Kosovë, heshtje zgjedhore

Në Kosovë ka hyrë në fuqi heshtja parazgjedhore dhe partitë politike kanë përfunduar me tubimet e tyre. Zgjedhjet për pushtetin vendor mbahen nesër, të dielën dhe ato janë vlerësuar tepër të rëndësishme për shtetin e Kosovës.


Gjatë fushatës për pushtetin lokal, subjektet politik premtuan se do të zhvillojnë komunat e Kosovës, duke realizuar projekte për zhvillimin e ekonomisë, infrastrukturës, dhe projekte tjera që do të ndikojnë direkt në ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve.


Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se rreth 40 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës.


Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhjet dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre të ligjshëm në zonat e banuara prej tyre. Por, udhëheqësit e serbëve të Kosovës janë të ndarë në qëndrimet e tyre.


Zgjedhjet e sivjetshme lokale janë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, ndaj është vlerësuar se është tepër e rëndësishme që ato të përgatiten si duhet dhe të përmbyllen sipas standardeve më të larta demokratike.


Policia e Kosovës njoftoi se në ditën e zgjedhjeve komunale, më 15 nëntor, do të angazhohen më shumë se 5 mijë policë, në mënyrë që të sigurohet një proces normal dhe zgjedhje të lira për të gjithë qytetarët.


Policia thotë se është kujdesur edhe për planifikimin dhe sigurimin e materialit sensitiv zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe fletëvotimet.

Presidenti Fatmir Sejdiu u është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar prej tyre të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në mënyrë masive, dhe të përcaktojnë vetë se kush do t'iu prijë në qytetet e tyre gjatë katër vjetëve të ardhshëm.


"Dua t'ju falënderoj për kulturën dhe qytetarinë që keni treguar gjatë një muaji sa zgjati fushata e parë parazgjedhore që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Po kështu, ju shpreh mirënjohjen time edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur për kryetarë dhe të këshilltarë komunalë, të cilët zhvilluan një garë dinamike dhe korrekte. Ndonjë incident sporadik që ka ndodhur ditëve të fundit assesi nuk e zbeh përshtypjen e mirë që është krijuar tashmë për ecurinë e deritanishme të kësaj fushate", thuhet në mesazhin e presidentit Sejdiu.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit - sipas kreut të Shtetit - janë një test i madh i demokracisë për të gjithë ne, "ndaj ju thërras sërish që këtë të diel, në mënyrë masive, të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni vetë se kush do t'ju prijë në qytetet tuaja gjatë katër vjetëve të ardhshëm".


Mosdalja në zgjedhje, sipas presidentit Sejdiu, automatikisht na e heq të drejtën e kërkimit të llogaridhënies nga ata që do të marrin mandatin për të qeverisur komunat tona, andaj ai i ftoi qytetarët të marrin pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe me anë të votës së lirë të japin kontribut të drejtpërdrejtë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes në komunën e tyre.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›