E Diel, 1 Nëntor 2026

LE RUES D`ALBANAIS, një shëtitje nëpër Orlean

Nga Bardhyl Prifti

Monsieur Zherve është avokat. U njoha me të në shëtitjen e mëngjesit buzë Lumit Luarë. Ishte i këndshëm dhe plot humor në bisedë. E nisëm miqësinë si dy të njohur të vjetër. Unë i flisja për Shqipërinë dhe ai më tregonte historinë e qytetit të vet të lindjes, Orleanit.
Lagja ku banon vajza ime e ka bërë zakon që familjarët të mblidhen tri-katër herë në vit në njërën nga sallat e lagjes për të kaluar gëzueshëm mbrëmjen, për tu njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të shijuar gatimet e preferuara të çdo familjeje. Ulen të gjithë rreth një tavoline të madhe, hanë, pinë verë, këmbejnë biseda gazmore, qeshin e bëjnë shaka gjithë gëzim. Verërat e zgjedhura dhe pjatancat me gatimet e veçanta të çdo familjeje shijohen me radhë nga të gjithë dhe secili jep përshtypjet e veta.
Mësje Zhervenë e kisha përkarshi. Ai ngriti gotën e verës dhe m`u drejtua duke buzëqeshur:
-Mësje, Bardhyl, babai i Suzanës! Keni një vajzë shumë të mirë! Gëzuar! Shëndet e lumturi për ju dhe fëmijët tuaj!
-Gëzuar zoti Zherve! Gëzohem që u njohëm! Shëndet e gjithë të mirat për ju dhe familjen tuaj!
-E dini ju se në qytetin tonë është një rrugë me emrin Rruga e Shqiptarëve?
-Jo! Është në këtë lagje?
- Është në mes të Orleanit të vjetër… Nesër do t`u sjell të dhëna për historikun e asaj rruge. Është interesante. Qyteti ynë e ka të shkruar historikët e të gjitha rrugëve. Unë do ta gjej librin në bibliotekën e qytetit, do të fotokopjoj faqet ku është edhe historiku i Rrugës së Shqiptarëve.
Të nesërmen z. Zherve më takoi dhe me buzëqeshjen e vet karakteristike, më zgjati një zarf.
-Këtu keni fotokopjen e faqeve ku flitet për rrugën. Ajo përmendet që në shekullin e pesëmbëdhjetë. Lexoje dhe mbase, mund të më thoni se cilët mund të jenë ata shqiptarë, që i kanë dhënë asaj rruge emrin e tyre…
Fotokopja e dokumentit ishte nxjerrë nga një libër në të cilin shkruhej historiku i të gjitha rrugëve e rrugicave të Orleanit. Të nesërmen morra rrugën nga Saint Jean për në Orleanin e vjetër. Kalova një nga urat e mëdha mbi Lumin Luarë, që ndan qytetin në mes, shëtita nëpër rrugë e rrugica të shtruara me kalldrëm dhe jo shumë larg katedrales së madhe të qytetit, në një qoshe rrugice lexova: La rue des Albanais. Në të dy anët e rrugës kishte shtëpi dy dhe trekatshe, të ndërtuara me gurë, me porta e dritare të rënda të stilit të vjetër. Shkova deri në fund të rrugës dhe dola në një rrugë tjetër më të gjerë, që lidhej me rrugën kryesore të lagjes. Kjo pjesë e qytetit më kujtoi rrugët karakteristike të Korçës. Shtëpi të mbështetura njëra pas tjetrës, të ndërtuara me gurë, me dritare të vogla me grila metalike ose druri.
U ktheva në shtëpi dhe nisa të përktheja faqet që më dha zoti Zherve.
Në ato shkruhej: Kjo rrugë nis nga rruga San Katerinë dhe mbaron te rruga Vieille-Poterie. Është quajtur vazhdimisht Rruga e Shqiptarëve, Rruga Neuvedes Albanais dhe përsëri Rruga e Shqiptarëve. Është një sokak i ngushtë që zgjatet nga Rruga San Katerinë te rruga e Re, sot rruga Charlese Sanglier.
Rruga e Shqiptarëve të nxjerr drejt rrugës Charles Sanglier, në rrugën Royale, pastaj në rrugën e Veieille-Poterie. Kjo e fundit është thirrur edhe rruga Os ose rruga Ours (e arinjve B.P.).
Ne nuk kemi gjetur ndonjë historian që të na tregojë diçka për Rrugën e Shqiptarëve. Me sa duket në këtë rrugë kanë qenë vendosur ushtarë nga Shqipëria të ftuar që në shekullin e 15-të për të mbrojtur Orleanin ose ishin heretikë të shekullit të 8-të të fshehur e të mbrojtur nga qyteti ynë. Ata mund t`u jenë bashkuar, për mendimin tonë trupave skoceze në shërbim të Scharl 8-të, i cili mund t`i ketë quajtur Albains, Albanais, Bread Alban nga Mbretëria Skoceze…
Kjo është një qoshe e ngushtë në rrugën e vjetër ku ngrihet një ndërtesë e këndshme që quhet: Shtëpia e Diana de Poitiers dhe që sot me gjithë anekset e tjerë të shpie në Muzeun Historik.
Ky ndërtim i datuar në shekullin e 16-të thuhet se është projektuar nga arkitekti Jan Bullant, që shkëlqeu në vitin 1550. Dihet se ndërtesa e quajtur Shtëpia e Diana de Poitiers është rikonstruktuar nga një sërë autorësh të tjerë si Pierre de Chastel, peshkopi i Orleanit dhe nga autorë të tjerë të familjes Cabut. Nuk ka dyshim që më vonë në këtë shtëpi në muajin gusht të vitit 1551 ka banuar Diane de Poitiers. Kjo dukeshë simpatike kishte thyer këmbën kur ra nga kali afër Sant Pierre-Emont para hyrjes në Orlean. Nuk ka dyshim që Diane de Poitiers qëndroi këtu deri sa u shërua. Ajo banoi këtu në kohën e Henrikut IV-të.
Ky pallat është një margaritar i vërtetë. Punimet e vogla artistike të tij i japin delikatesë dhe elegancë ansamblit të ndërtesave.
Hyrjen kryesore që shikon nga rruga Sainte Caterine e paraprin një oborri vogël, që përbën katin e parë. Ajo mbështetet në disa kolona guri me gjethe të gdhendura që i qarkojnë si një zinxhir spiral. Dritaret kanë arkitrarë të gdhendur në mënyrë të atillë, që e zbukurojnë ndërtesën. Ashtu si pjesët e jashtme edhe pjesët e brendshme meritojnë vemendjen e vizitorëve.
Në këtë ndërtesë edhe në dy të tjerat ngjitur, që kufizohen me rrugën Charles Sanglier dhe në oborrin e brendshëm, për disa vjet ishin vendosur koleksionet interesante të Muzeut Historik të Orleanit.
Pranë shtëpisë së Diane de Poitiers, në fund të oborrit afër Muzeut gjendet një shtëpi interesante e ndërtuar me dru e shekullit të XV-të…
Një qoshe e vogël është kjo rrugë në Orlean, po na jep një të dhënë interesante nga shekulli i VIII-të dhe më vonë nga shekulli i XV-të, kur pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës, shumë shqiptarë u detyruan të largoheshin nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Pas disa ditësh unë i fola z. Zherve për luftërat e Skënderbeut kundër turqve, se si populli ynë luftoi dhe mbrojti trojet e veta nga otomanët, i thashë se Skënderbeu ishte cilësuar nga Papa i Romës Kalorës i krishterimit, se mbrojti perëndimin nga pushtimi turk. I tregova se si shumë shqiptarë pas vdekjes së Skënderbeut u detyruan të braktisnin vendin dhe të shkonin në vende të ndryshme të Evropës dhe se një pjesë kishin arritur edhe në Francë etj.
Sa qoshe të tilla të panjohura të banuara nga shqiptarë mund të ketë kudo në botë?!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›