Të gjithë njerëzit e presidentit
Nga Luan Kurti
Berisha kërkon president nga PD ja dhe po tenton të gjejë numrat për të bërë 71-shin edhe pa LSI-në. Nëse ia arrin merr kreun e shtetit dhe lanë duart njëherë e mirë me LSI-në, liron vende në administratë, eliminon çdo kosto elektorale dhe hynë më i sigurt në zgjedhjet e 2013, ku lokomotivës së saj me gjasë do ti bashkangjiten gjithë vagonat e tjerë të djathtë që ikën nga treni i Ramës.
Për më tepër Berisha duke qenë në pushtet ka me çti joshë dhe ti gostisë. Dhe justifikimin për prishjen e bashkëqeverisjes një vit para afatit e ka për çdo rast: lideri i majtë u krruajt vetë duke i bërë karshillëk. Njëkohësisht del i larë dhe me ndërkombëtarët të cilët kërkuan president konsensual, pasi faturën ia lë në dorë çiftit RamaMeta që nëpërmjet kulisave dhe deklaratave të njëanshme e detyruan të bëj lëvizje mbrojtëse, pasi si mazhorancë e ligjshme ai smund të pranonte të injorohej. Letra pararendëse e Ramës për dialog dhe konsensus, me theks tek procesi dhe integrimi europian, janë demagogji, pas lëvizjeve dhe deklarimeve të fundit. Të majtët po e thonë hapur se nuk pranojnë një figurë të propozuar nga e djathta, duke konsideruar që do jetë një njeri i preferuar prej tyre, pra i njëanshëm. Cili mund të jetë kriteri, mekanizmi përzgjedhës ku palët do dakortësoheshin për dikë të paanshëm? Kush mund të mendojë dhe për më tepër të thotë, se takimi RamaMeta nuk ka pasur në thelb diversionin, pazaret, skenar të dyshimtë që sigurojnë epërsinë dhe i bënin ata fitues në zgjedhjet e ardhshme? Se ata nxorrën nga loja Nanon, liderin e tyre historik për të cilin Berisha kishte shprehur bonsens dhe kishte simpatinë e hapur të ambasadorit amerikan, gjë që do të thoshte se në luftën për pushtet nuk njihnin kufij, e jo më të flitej për parime, për vlera dhe për një frymë të re në politikë Po pse Rama takoi Metën dhe çpakt apo premtim u bë midis tyre në gjirin e Lalëzit?! Dikush mund të thotë se ky takim ishte në frymën dhe logjikën e letrës që sinjalizonte rolin e tij paqëtues dhe moderator me të gjithë aktorët kryesorë politik. Pastaj vjen pyetja tjetër, cili qe pakti, thelbi i marrëveshjes, apo moduli që palëve u krijon mundësinë, gjasat për një taktikë dhe strategji me përfitime reciproke?… Një skenar mund të ketë qënë Meta president (kjo u artikulua në media) dhe Rama kryeministër, që automatikisht realizohej për shkak të krizës së numrave të mazhorancës, në një rast hipotetik. Rama i friket zgjedhjeve me Berishën në detyrën e kryeministrit dhe do jepte gjithçka për ta hequr qafe para kohe. Meta president forconte pozitat mjaftueshëm duke lënë mënjanë përfundimisht çdo përfolje apo implikim të së shkuarës dhe faktorizohej përpara ndërkombëtarëve, ndërsa partinë do ta drejtonte de jure një figurë tjetër ( de fakto po ai), duke influencuar në një rezultat pozitiv qoftë edhe në mënyrë të tërthortë. Rama nuk mund ti bënte bisht pasi do ia kishte nevojën dhe tek çertifikimi i zgjedhjeve dhe për shumë çështje të tjera që mbyllen apo vulosen me dekret presidencial. Po Meta a e ka marrë parasysh riskun?… Patjetër! Ajo që e ka shtyrë Metën drejt Ramës ka qenë vetëdija e tij, se koalicionit me PD-në po i vinte fundi dhe në zgjedhjet e radhës do ti duhej të kandidonte i vetëm përballë dy të mëdhenjve. Po bashkimi me Ramën me kërkesën e këtij të fundit, do ia çelte portën, do i rikuperonte imazhin si lider dhe si forcë politike e majtë dhe do prodhonte një rezultat elektoral më të qenësishëm. Ai ishte njeriu që iku tek PD-ja për shkak të agresivitetit dhe pangopësisë për pushtet të Edi Ramës, por me ti bërë thirrje u rikthye, la privilegjet në koalicion për shkak të bindjeve dhe profilit të forcës politike që përfaqësonte. I bindur se Ramës nuk i zihet besë kushtëzimi i tij më i madh do ishte ta detyronte këtë të fundit të bënte ndryshimet në kod, nga proporcional rajonal në kombëtar, qoftë dhe duke rritur pragun, çka do ti siguronte padyshim disa mandate të vlefshme. Kjo do ti jepte shanse dhe ndonjë partie tjetër dhe do mundësonte, pse jo, krijimin e ndonjë poli të tretë apo të ndonjë pakice bllokuese që sdo mund të injorohej lehtë. Gjë që ka pak ose aspak gjasa të gjej mbështetjen jo vetëm të Ramës por edhe të Berishës. Në rastin më të keq, kur skenarët e propozuar nga Rama nuk do funksiononin, shto këtu edhe humbjen sërish në zgjedhjet e përgjithshme risku i shkonte vetëm atij, si njeriu që shkatërroi të majtën dhe nuk mund ta sillte në pushtet në asnjë lloj formati. Pra sikur edhe zotin po ta kishte në krahë ky njeri do rezultonte humbës! Një bashkim i të gjithë të majtëve mund të ndodhte në të ardhmen, por pa Ramën (!!!) Po Rama a i ka llogaritur kostot nga ky unifikim?… Frika, obsesioni se nuk mund të fitojë pa LSI-në, këshilla e ndonjë njeriu afër tij, e ka bërë të ndryshojë kahje, të hedhë pas krahëve të shkuarën dhe të bëhet hiperpragmatist. Me numrat që ka aktualisht në dispozicion ai nuk mund ta zgjedh i vetëm presidentin. Në rastin më të mirë atij i leverdis që të luaj bllofin, ta nervozojë Berishën dhe ta detyrojë ta grabisë presidentin. Kjo do prodhonte një kartë, apo valvul sigurie jo vetëm brenda vendit por edhe tek të huajt që na monitorojnë, duke paraprirë rezultatin negativ të 2013, se me Berishën nuk mund të bëhen zgjedhje normale dhe vendi po rrëshqet në diktaturë.
Kjo vetëdije, kjo nuhatje, ky sens patriotizmi e ka bërë atë të ngrihet mbi çdo paragjykim dhe armiqësi personale, të jetë paraprijës, përbashkues, vizionar, në emër të kauzave më të mëdha që shpien drejt prosperitetit dhe integrimit europian të vendit Gjithsesi ai mëton të bind veten se përtej çdo kalkulimi, përtej çdo hamendjeje kësaj radhe do fitojë edhe pa Metën; kjo është artikuluar edhe nga Gramoz Ruci së fundmi. Por në çdo rrethanë e ka si alibi për kundërshtarët e tij brenda partisë, për tu mbyllur gojën dhe për të mos lënë kreun, nëse Meta me votat e tij bëhet sërish përcaktues dhe rrëshqet djathtas. Këto, sipas meje, janë disa nga skenarët e mundshëm që po luhen për momentin, por që deri në zgjedhjen e presidentit ka gjasa të kemi shumë zhvillime te reja dhe interesante.