LETËR E HAPUR PËR STUDENTËT DHE PEGAGOGËT E FAKULTETIT EKONOMIK
-Një përgjigje në respekt të medias dhe opinionit publik-
Pavlin Kalusha*
Unë që po i shkruaj këto radhë jam Administratori i biznesit dhe godinës së shumëpërfolur për disa muaj me radhë para Fakultetit Ekonomik. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të merresha edhe me shkrime, replika apo deklarata në media, për shkak të angazhimeve të mija të shumta në biznes dhe halleve të përditshme që ka mirëmbajtja dhe zhvillimi i tij. Por, pas dizinformacioneve të shumta të opinionit publik, apo, aq më keq akoma, trukimesh dhe keqpërdorimit të një morie studentësh dhe pedagogësh të sinqertë dhe të përkushtuar nga grupe dhe klane të caktuara në mjediset e atij fakulteti apo në Universitetin e Tiranës, – e pashë të udhës që të pastroj veten dhe biznesin tim tërësisht nga balta e fëlliqur që është hedhur gjithë këtë periudhë.
Dua të sqaroj që të gjithë se trualli mbi të cilën është ngritur godina polifunksionale është tokë me pronarë, trashëgimia dhe përdorimi i së cilës është njohur ligjërisht edhe pas viteve 90.
I kuptoj shumë mirë disa ndjeshmëri se kjo është një tokë në një zonë pranë hapësirës publike, por shteti deri më sot as ka negociuar dhe as e ka dëmshpërblyer pronarin e truallit, pasiqë ligji ia ka njohur të drejtën e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokës. Mbi këtë truall është dhënë një leje ndërtimi në vitin 2004 për ngritjen e një objekti polifunksional, i gjithi i parashkuar për tu ngritur konform ligjeve, rregullave dhe standardeve urbanistike dhe në shërbim të mjediseve universitare dhe komfortit të studentëve dhe stafit pedagogjik.
Por, sapo nisi puna, të njëjtët persona, si atëherë edhe sot, në shkelje flagrante të ligjit, duke keqpërdorur kauzat e një komuniteti të nderuar profesorësh dhe studentësh, janë vënë kundër këtij biznesi, duke i shkaktuar dëme të pallogarishtme prej disa kohësh: Drejtues apo ish-drejtues fakultetesh, të cilët kanë treguar pa fjalë, në çdo moment, se nuk kanë durim për të respektuar ligjin, vetëm nëse ai rrjedh ujë në mullirin e tyre.
Për objektin ka një vendim gjykate, madje edhe në Apel, dhe njëherësh ka një vendim përmbarimi për rifillimin e punimeve për ndërtimin e objektit (Përgjigjen më të mirë e kanë dhënë dy ditët e fundit autoritetet e Bashkisë së Tiranës), e sërish ferrat vazhdojnë të lëshojnë gjemba ndaj biznesit tim. (Për të gjitha këto, i kam shpërndarë medias dy muaj më parë gjithë dokumentacionin e plotë, të cilën po e rishpërndaj edhe tani). Por, çfarë më habit më shumë në gjithë këtë fushatë çoroditëse të disa çunave të zellshëm për fushata zgjedhjesh në universitete, apo pedagogë të inatosur me stinë, se gjasme, kjo ndërtesë iu paska shteruar lirinë e të menduarit dhe të ushtruarit të veprimtarisë së tyre akademike.
Ajo që më shqetëson më shumë është se e gjithë kjo tragji-komedi po zhvillohet në fabrikën e zhvillimit të dijes për mbjelljen e farës dhe rritjen e biznesit. Pra, komuniteti i madh i studentëve të sotëm të këtyre auditorëve, nesër do të jenë menaxherë, administratorë dhe vendimmarrës të tregut të nesërm. Të gjithë këta reflektojnë një sjellje aspak të hijshme, së pari ndaj një biznesi privat që ndodhet karshi tyre. Pse, do të sillen menaxherët apo administratorët e nesërm ndaj sipërmarrjes në këtë mënyrë? Kështu do të edukohen ata? Kjo është kultura e komunikimit? Kjo është mënyra e zgjidhjes së problemit?
Unë i garantoj edhe drejtuesit dhe profesorët e fakultetit, se duke i lënë studentët pa provime, e duke shantazhuar se nuk nisin edhe vitin akademik nesër, nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po i mësojnë studentët e tyre që kur të marrin karrigen e pushtetarit dhe menaxherit, tu vënë drynin bizneseve, ti falimentojnë, dhe ta rrënojnë sipërmarrjen dhe ekonominë e vendit. Kjo është një histori më vete.
Padyshim që as profesorët dhe as studentët e psonisur nuk mundet që ta cënojnë sadopak biznesin tim. Ata nuk do të guxojnë as sot dhe as nesër që të hyjnë te sipërmarrja ime, në një çështje që nuk është tagër apo detyrë shpie e dhënë nga profesorë ekonomie me grada që dinë vetëm të rrënojnë biznese, apo, aq më keq akoma se nuk kanë ngritur asnjëherë biznese me dijet e tyre. Marrëdhëniet e mija janë vetëm dhe vetëm me dhe para ligjit. Bashkia e Tiranës, me kompetenca të plota për të ruajtur territorin urban, i ka hapur rrugë ndërtimit të këtij objekti, duke respektuar thelbësisht ligjin. Unë nuk njoh ndonjë xhandar tjetër të territorit urban në Republikën e Shqipërisë.
Komuniteti i pedagogëve dhe studentëve e ka derën e hapur për tu informuar se çfarë po bëhet brenda gardhit, në mënyrë që të kuptojnë se kush e ka lidhur litarin, kush po i instrumentalizon dhe kush po i ndërsen në mënyrë abuzive ndaj një biznesi të ligjshëm. Nëse ndokush mendon seriozisht se ky objekt po shkatërron seriozisht procesin e mësimdhënies, atëherë unë do të mendoja me të drejtë se në këtë Shqipërinë e gjorë paskemi edukuar studentë dhe profesorë (përfshirë edhe ata që japin mësim këto te Fakulteti Ekonomik) mjeranë, duke nisur që me brezat e diplomuar në shkollat e Petro Ninit apo të komisarit të dritës dhe deri në autoditoret e sotme. Vetëm në këtë këndvështrim e çmoj betejën e atyre që dinë të mbajnë pankarta në duar për kauza brenda gardhit të ligjit dhe jo për të drejta të mohuara në gardhin brenda tyre.
Ky objekt nuk fashit fantazinë e studentëve, nuk zhduk energjitë e palodhura të profesorëve të Ekonomikut, nuk shkatërron lirinë akademike, nuk asgjëson procesin e mësimdhënies, e aq më tepër, nuk vret përhapjen e dritës së diturisë. Përkundrazi. Projekti në zanafillë dhe në momentin kur të marrë jetë, synon që të shtojë dhe përmirësojë kushtet për bashkësinë e madhe të studentëve dhe të pedagogëve, të cilëve nuk ju mjaftojnë mjediset e brendshme për realizimin e aktiviteteve plotësuese të përditshme. I ftoj të gjithë që të kenë një qasje tjetër, duke e parë këtë ndërtesë sot, si një mundësi të vlefshme nesër, ku këta studentë dhe profesorë do të realizojnë, pse jo, edhe një pjesë të nevojave të tyre për shërbime të llojeve nga më të ndryshmet. Ju kërkoj të gjithëve të ndajnë idetë e mira, në interes të përbashkët.
Së fundi, me këto rreshta, i konsideroj të tepërta fjalët e shpenzuara nesër, që të sqaroj më shumë atë trupë profesorësh dhe pedagogësh; dhe, përgjigja ime më e mirë është ligji dhe vetëm ligji. Po me ligj, ata që do të më dëmtojnë biznesin tim sot, do ta paguajnë me çdo çmim nesër.
Edhe diçka tjetër: Nëse sot, ata që dalin e bërtasin me të madhe për lirinë dhe dritën e munguar të diturisë, të jeni të bindur se, po këta, nesër do të shpërndajnë terrin e injorancës te fëmijët tanë, te e ardhmja jonë. Aq më tepër, të sipërmarrjes private, e cila, më shumë se asnjëherë tjetër, sot ka nevojë për mbështetje, tolerancë dhe kreativitet në përdorimin e energjive për të mirat e komunitetit dhe shoqërisë në tërësi.
*Administratori i firmës Mareg Sh.pk.