E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama:Të mos harrojmë asnjë zotim. Të gjithë jemi në provë para zgjedhësve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur sot grupit parlamentar të PS-së

Në fjalën e tij, Rama ka këshilluar deputetët të mos harrojnë asnjë çast votën që kanë marrë, premtimet që janë bërë dhe përkushtimin që duhet të kenë për të merituar besimin e madh që u është dhënë.

U përpoqëm fort për të fituar mandatin që pas një beteje të gjatë, na u besua me një votë popullore të ngjashme me atë të 1992, tani e mbrapa duhet të përpiqemi si një skuadër kompakte për ta merituar mandatin për PS, LSI, gjithë koalicionin tonë të 1 milionë votave” tha Rama.

Kreu i PS-së, Rama theksoi se rezultatin e fitores e sheh si një revoltë ndaj pushtetit të pamerituar ndërsa shtoi se të gjithë do të jenë në provë për qeverisjen e vendit me sjelljen ndaj njerëzve.

Jam përkohësisht i lehtësuar që publikimi i skuadrës sonë të re qeveritare nuk e cënoi pritshmërinë e lartë të njerëzve. Masa e shumicës që kemi marrë është mishërimi i përgjegjësisë së madhe që na është ngarkuar. Ne duhet të kërkojmë nga drejtuesit e partisë në rrethe e njësi të bëjnë atë që do bëjmë ne vetë. Koha që njerëzit do na japin në pritje të ndryshimit është tejet e kufizuar. Të humburit na kanë lënë një libër tejet të trashë të marrëzisë, të mos e humbasim nga sytë që të mos biem në të njëjtin batak tha Rama.

Rama theksoi me tej se ekipi qeveritar tashmë është gati për të marrë detyrën e vet me qëllim ndryshimin rrënjësor të Shqipërisë.

Skuadra ka gjithçka gati. Plani i punës për 100 ditët dhe 300 ditët e qeverisjes po redaktohet për t`ia paraqitur Kuvendit. Ministrat tanë kanë gati programin e qeverisë së re, ndërsa deputetët duhet të përgatisin zyrat e tyre në çdo zonë që janë zgjedhur, tha Rama.

Kryeministri i ardhshëm Rama tha gjithashtu se PS dhe LSI edhe pse do të jenë dy grupe kuvendore, do të funksionojnë në harmoni të plotë për implementimin e programit.

Kryesocialisti Rama theksoi se njerëzit janë të lodhur nga mospërfillja e shtetit në vitet e fundit, ndërsa kërkoi që deputetët të jenë pranë zgjedhësve për t’i dëgjuar në çdo hall dhe problem që ata kanë, për t’i dhënë përgjigje kërkesave dhe ankesave të tyre.

“Duhet të përpiqemi fort për të mbajtur me dinjitet flamurin e interesave kombëtare, të vetëdijshëm në çdo moment dhe në çdo lëvizje të jemi bashkë për t’i dhënë fund praktikave të këqija”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryesocialisti Rama shprehu besimin që qeverisja e majtë do t`ia dalë të përmbush të gjitha premtimet e bëra qytetarëve.

“Ky është një oportunitet për të gjithë ne dhe unë kam bindjen që ne do t`ia dalim të punojmë me përkushtimin më të madh dhe me prefesionalizmin më të lartë që ku vend ka njohur në këto 20 vjet për të përmbushur të gjitha zotimet tona dhe realizimet tona ne do t`i kemi si kartëvizitë që do t`ia paraqesin shqiptarëve ditën e gjykimit pas 4 vjetësh përfundoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›