E Hënë, 2 Nëntor 2026

LIBAN – Të paktën 13 të vdekur pas sulmit izraelit në kampin e refugjatëve palestinezë

BEJRUT, 19 nëntor /ATSH-DPA/- Të paktën 13 persona u vranë gjatë një sulmi izraelit në kampin më të madh të refugjatëve palestinezë në Liban, Ain al-Hilweh, thanë sot autoritetet libaneze.

Ministria e Shëndetësisë në Bejrut tha se disa persona të tjerë ishin plagosur në sulmin pranë qytetit bregdetar të Sidonit, ndërsa burime brenda lagjes së populluar nga palestinezët thanë se numri i të vdekurve mund të ishte shumë më i lartë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee tha se ushtria kishte shënjestruar elementë terroristë që vepronin në një kompleks stërvitjeje të lidhur me grupin militant palestinez Hamas.

Ai shtoi se kompleksi u përdor për stërvitje dhe planifikim sulmesh kundër Izraelit dhe se ishin marrë masa për të shmangur viktimat civile.

Disa media izraelite raportuan se sulmi mund të kishte goditur figura të larta të Hamasit.

Hamasi e dënoi sulmin në një njoftim për shtyp, duke e quajtur atë një sulm brutal ndaj popullit të pambrojtur palestinez dhe ndaj sovranitetit libanez.

“Pretendimet dhe akuzat nga ushtria pushtuese izraelite se vendi i shënjestruar ishte një kompleks stërvitjeje që i përkiste lëvizjes – janë trillime të pastra dhe gënjeshtra që synojnë të justifikojnë agresionin e saj kriminal dhe nxitjen kundër kampeve dhe popullit tonë palestinez. Nuk ka objekte ushtarake në kampet palestineze në Liban”, tha Hamasi në një deklaratë.

Ain al-Hilweh, në Libanin jugor, është shtëpia e rreth 80,000 njerëzve, duke e bërë atë kampin më të madh të refugjatëve palestinezë në vend.

Shumica e banorëve janë refugjatë nga lufta arabo-izraelite e vitit 1948 dhe pasardhësit e tyre.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›