LIGJËRATA E PRESIDENTIT TOPI NË UNIVERSITETIN E KEMBRIXHIT

25 prill 2012
Kembrixh, Britani e Madhe
I nderuar zoti Rektor,
Të nderuar zonja e zotërinj, profesorë dhe studentë,
Të nderuar pjesëmarrës!
Për një profesor universiteti me karrierë akademike, për një politikan nga rajoni i Evropës Juglindore dhe për një President të një vendi të vogël, por me një histori miqësie më se shekullore me Britaninë e Madhe, është nder e privilegj të jem i pranishëm në njërin prej 5-6 universiteteve më të njohura në botë, elitë dhe simboli i dijes, shkencës dhe arritjeve. E konsideroj gjithashtu privilegj të prezantoj përpara jush një tematikë të njohur dhe njëherësh një realitet të ri në pjesën juglindore të Evropës.
Fillimisht dëshiroj të theksoj se shumë prej studiuesve dhe oratorëve kur flasin apo shkruajnë për rajonin tonë, pëlqejnë përdorimin e termit "Ballkan“, një term lokal me konotacionin e një rajoni në krizë dhe paralajmërim për "ballkanizimin“, - pra ekzistencën e vatrave të krizave etnike e politike. Kjo simbolikë është e hershme, kryesisht e fillimit të shekullit XX, kurse ne sot, brezat e rinj të qytetarëve dhe politikanëve në rajon, preferojmë të njihemi dhe cilësohemi si pjesa juglindore e Evropës, pra një territor evropian jo vetëm gjeografik, por në brendësinë e tij, në identitet dhe kulturë evropiane. Ndryshimi midis dy termave nuk është çështje perceptimi, por modeli politik, modeli të kulturës politike dhe modeli të projektit për të ardhmen e përbashkët.
Për shkak të regjimeve autoritare apo ideologjike për më shumë se gjysmë shekulli, distanca midis konceptit të Evropës, siç etiketohej "Evropa Perëndimore“ dhe konceptit lindor nën influencën sovjetike, ishte tejet e madhe. Më shumë se dy breza qytetarësh u lindën dhe u rritën nën një sistem politik e kulturor ideologjik, që refuzoi vlerat e parimet evropiane të demokracisë. Rënia e atij sistemi, përveç entuziazmit dhe aspiratave të mëdha për fitimin e kohës së humbur, u shoqërua me një njohje të re në një kohë të vështirë. Përpjekjet e vendeve ish-komuniste të Evropës Juglindore për të krijuar një sistem demokratik qeverisës, ecën paralelisht me përpjekjet e disa shteteve për të ndërtuar identitetin e tyre nacional, shpeshherë në mohim apo dhunim të tjetrit.
Disa luftra në rajon, fillimisht në Kroaci, në Bosnje dhe së fundi edhe në Kosovë, - janë dëshmi e një tragjedie të jashtëzakonshme të shkakkuar nga regjime, politika dhe politikanë refuzues të vlerave të demokracisë perëndimore. Ata nuk pranonin ekzistencën e tjetrit si shtet, si bashkësi qytetarësh të lirë, si entitete kombëtare apo si entitete fetare dhe kështu, përdorën armët dhe mjetet e tjera të dhunës për të nënshtruar kombe e popuj, me një bilanc dramatik. Pak ditë më parë, banorët e Srebenicës në Bosnje përkujtuan 20-vjetorin e tragjedisë, në një koncert me 11,541 karrige bosh, aq sa ishte numri i viktimave të pafajshme. Në Kosovë çdo vit përkujtohen disa mijëra qytetarë të pafajshëm të vrarë apo ende të zhdukur për shkak të luftës më të re në Evropë.
Falë rolit të jashtëzakonshëm historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, aleatëve të tjerë në NATO dhe BE, - genocidi në Kosovë mori fund dhe sot, pas 13 vitesh, edhe pse me plagët ende të pambyllura, Kosova përbën shtetin më të ri demokratik, shumë-etnik dhe funksional në Evropë. Sot Sllovenia, Bullgaria, Rumania e Kroacia janë në BE, Serbia ka avancuar statusin e saj kandidat, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi janë gjithashtu në fazën përmbyllëse të procesit integrues, pesë prej vendeve tona janë anëtare në NATO, dhe të gjitha vendet jemi po ashtu anëtarë në nisma të tjera me rëndësi në nivel evropian e rajonal.
Çdo vit krerët e shteteve të rajonit organizojnë 3-4 takime rajonale, kryesisht nisma politike në mbështetje të bashkëpunimit ekonomik, politik, kulturor, si dhe në fusha të tjera me interes reciprok. Koha e forcës i ka lënë vendin kohës së arsyes, periudha e izolimit është zëvendësuar nga një periudhë aktive e bashkëpunimit, partneritetit dhe shkëmbimeve shumëplanëshe bilaterale dhe multilaterale.
Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe Britanisë së Madhe në veçanti, i gjithë rajoni ynë po demonstron vullnet politik e përpjekje të mëdha për të kapërcyer diferencat e të kaluarës dhe për të krijuar një projekt të përbashkët të bazuar në vlera e parime demokratike që patën fillesat e tyre shekuj më parë këtu në Angli. Kjo klimë e re politike nuk është sllogan, është realitet, ndonëse i brishtë, - një realitet premtues për një të ardhme të qëndrueshme dhe të përbashkët euro-atlantike. Natyrisht që procesi nuk është përfunduar dhe përveç vullnetit politik kërkohen akte konkrete politike, legjislacion modern dhe zbatim konkret i parimeve të shtetit të së drejtës, rritje të rolit të institucioneve demokratike dhe një sjellje të re që pranon, respekton dhe vlerëson realitetet e reja rajonale.
Le të përmend këtu rastin e Kosovës, një vend që njihet tashmë nga rreth 90 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Britaninë e Madhe. Kosova ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme për shërimin e plagëve të luftës dhe krijimin e një shoqërie funksionale multietnike. Ajo ka nevojë për një fazë të re mbështetjeje, për një kalim nga projektet demokratike tek ato ekonomike dhe më gjerë. Por për të ndodhur kjo, Kosova në veçanti dhe rajoni në tërësi, ka interes dhe nevojë të madhe që njohja e Kosovës të jetë e plotë, edhe nga disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur. Si politikan, mund mirëkuptoj qëndrimet e tyre pragmatiste, por si një politikan realist në rajonin e Evropës Juglindore e di dhe kam bindjen se rasti i Kosovës nuk ka ngjashmëri me asnjë rast tjetër të pretenduar evropian dhe se në këto rrethana, çdo vonesë në njohjen e plotë të Kosovës përbën një pengesë të madhe për ecjen e saj përpara dhe bashkë me të, edhe për ecjen përpara të gjithë rajonit tonë.
Unë gjithashtu besoj se edhe Serbia, fqinji verilindor i Kosovës, do të duhet të bëjë hapa konkrete në drejtim të njohjes së Kosovës si vend fqinj, shtet i pavarur, demokratik dhe shumë-etnik. Çdo skenar tjetër e politikës së pengjeve apo përdorimit të Kosovës si subjekt i retorikave dhe veprimeve elektorale apo ultranacionaliste, vetëm sa shkon në dëm të Kosovës, Serbisë dhe ardhmërisë europiane si dhe prosperitetit së përbashkët të rajonit.
Të nderuar miq,
Shqipëria është një vend relativisht i vogël në Evropë, me popullsi sa thuajse gjysma e banorëve të Londrës, gjithsesi me numër më të lartë banorësh se sa katër shtete të tjera të rajonit tonë. Njëherësh Shqipëria është ndër vendet e vetme në botë që në kufijtë zyrtarë ka fqinj qytetarë shqiptarë, banorë të shteteve fqinje, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Në këtë mënyrë faktori shqiptar në rajon është shumë më i madh se sa shteti shqiptar në rajon. Kudo ku ndodhen, shqiptarët kanë ditur të bëjnë zgjedhjen e tyre pro perëndimore, duke krijuar modele politike e qytetare me aspirata e vizione të qarta euroatlantike. Çdo sondazh i institucioneve të specializuara në vitet e fundit në rajon u njeh shqiptarëve mbështetjen më të lartë për BE-në, për NATO, dhe për institucionet e tjera perëndimore e evropiane. Ky qëndrim është në përputhje të plotë me zgjedhjen tonë historike për të qenë në anën e Evropës, edhe kur paraardhësit tanë kanë paguar një çmim të madh qëndrese përballë perandorive pushtuese lindore. Ju e dini se shekuj më parë Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti u shpall nga Selia e Shenjtë „Mbrojtës i Krishterimit“, dhe se në kohët e sotme shqiptarët nxorën nga gjiri i tyre humanisten e njohur në botë, Nënë Terezën. Janë dy simbole që flasin shumë, dhe që përfaqësojnë më së miri kontinuitetin tonë historik në mbrojtje të vlerave evropiane.
Në funksion të këtij parimi politik, i cili ka konsensus popullor dhe natyrshëm nuk ka opozitë politike apo civile në vendin tim, Shqipëria dhe shqiptarët mbeten një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe progresin euroatlantik në Evropën Juglindore. Marrëdhëniet tona me vendet fqinje janë miqësore dhe intensive, shkëmbimet tona politike dhe ekonomike ndodhen në kuotat më të larta në histori, projektet tona të përbashkëta prekin çdo fushë të aktivitetit shoqëror. Natyrisht që në politikë gjithnjë ka vend për më shumë, për energji e vizione të reja, për më shumë besim dhe partneritet aktiv reciprok, sidomos kur bëhet fjalë për vende fqinje apo rajonale në të cilat ende ekzistojnë forca politike e grupe qytetare ultranacionaliste, si mbetje të kohës së konfliktit dhe dhunës. Izolimi i këtyre grupimeve përmes veprimit të shtetit ligjor dhe forcimit të demokracisë dhe kulturës politike është ajo çfarë pret Shqipëria prej këtyre vendeve, por me bindje e them, edhe ajo çfarë presin shumica qytetare e politike e vetë këtyre vendeve.
Përparimet politike në rajon meritojnë një kahje të re stabiliteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Kjo mbetet sfida e jonë kryesore. Në një botë gjithnjë e më globale shkëmbimet intensive midis shteteve, qytetarëve, biznesit, kulturës, studentëve, etj., janë përgjigjia më e mirë për të përballuar problematikat lokale. Njëherësh sfidë e madhe e rajonit mbetet forcimi i demokracisë, jo vetëm si liri mendimi apo përfaqësimi, por si kulturë, mënyrë sjelljeje dhe mendimi, si institucion që udhëhiqet me kurajo e përgjegjësi ndaj qytetarëve. Forcimi i demokracisë funksionale dhe elementëve të veçantë të saj, siç janë jetësimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe shtetit efektiv së të drejtës, bashkëveprimi efektiv në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, zgjerimi i demokracisë përfaqësuese qytetare dhe rritja e akteve të përgjegjësisë politike ndaj zgjedhësve, forcimi i besimit të institucioneve politike në publik përmes rotacioneve demokratike të elitave politike, si dhe një rol më aktiv të shoqërisë civile, medias së pavarur, komuniteteve akademike apo fetare, - përbëjnë sipas meje, paketën kryesore të sfidave me të cilat Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore ndeshen e do të vazhdojnë të ndeshen gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Të nderuar pjesëmarrës,
Për një dëgjues perëndimor shumë prej problematikave tona rajonale mund të tingëllojnë monotone dhe të vonuara. Për ata që njohin mirë historinë e rrjedhave politike kam bindjen se ndahet mendim ndryshe. Ngjarjet e viteve 90-të në Bosnje e Kosovë na kujtuan të gjithëve se këtu, në zemër të Evropës, mund të jemi dëshmitarë të tragjedive të mëdha njerëzore. Sot, pas më shumë se një dekade, ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha politike dhe njerëzore në të njëjtin rajon, në të njëjtat vende, në të njëjtat shoqëri e sisteme politike.
Ky është një përparim gradual, me pengesa e probleme, por është pa kthim pas, dhe kjo mbetet kryesore. Ndaj vlerësoj se është koha të apeloj bashkësinë perëndimore për një prani e mbështetje të mëtejshme aktive në rajon, sidomos në Kosovë, Maqedoni, Bosnje e Malin e Zi. Asnjë pengesë lokale apo lodhje nga procesi i zgjerimit të BE-së nuk mund të lejohet të kthehet në skepticizëm apo braktisje të aspiratave të theksuara properëndimore dhe evropiane të shumicës absolute të shoqërive e shteteve të rajonit. Kriza ekonomike dëshmoi se problemet mund të vijnë edhe nga vende me demokraci të qëndrueshme. Trendi ynë demokratik po shënon përparims, po shoqërohet me stabilitet të brishtë ekonomik, dhe mbi të gjitha, ka një brez të rinjsh, me vullnet e vendosmëri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqëritë e tyre.
Së fundi, më lejoni që në këtë auditor akademik të shpreh vlerësimet më të larta të shtetit shqiptar për disa dhjetra studiues, historianë, diplomatë e krijues britanikë, që nga Lordi Bajron, Obri Herbert, Edit Durham, nga misionet britanike në Luftën e Dytë Botërore dhe deri në elitat e sotme britanike mbështetëse të dëshmuara të procesit demokratik dhe euro-atlantik të Shqipërisë.
Edhe këtu në bibliotekën e Kembrixhit ndodhen disa dhjetra studime dhe kërkime shkencore e historike mbi tematikën shqiptare dhe të rajonit, - një tregues tjetër i vlerësimit dhe bashkëpunimit miqësor.
Ju falenderoj për vëmendjen dhe kam kënaqësinë të jem në dispozicion për komentet dhe pyetjet tuaja!