LISBONË – Arrin në 15 numri i viktimave, pas aksidentit të një tramvaji

LISBONË, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Të paktën 15 persona humbën jetën në Lisbonë, ndërsa tramvaji historik ”Elevador da Gloria” doli nga shinat, u tha sonte në mbrëmje gazetarëve një zëdhënës i ekipeve të shpëtimit.
Fillimisht nuk u dhanë detaje të mëtejshme rreth viktimave, megjithëse ka të ngjarë që disa të kenë qenë turistë pasi tramvaji është përdorur edhe nga vendasit edhe nga turistët.
Një zëdhënës i ekipeve të shpëtimit nuk dha asnjë informacion në lidhje me kombësitë e viktimave.
Ai deklaroi se 18 persona u plagosën.
”Katër prej të plagosurve janë në gjendje kritike”, sipas zëdhënësit të mbrojtjes civile.
Kryebashkiaku Carlos Moedas i tha kanalit të lajmeve SIC Notícias se ”është një mbrëmje e tmerrshme për Lisbonën, shumë e tmerrshme”.
Imazhet televizive treguan tramvajin e shtrirë në anë dhe të dëmtuar rëndë.
Transmetimet e drejtpërdrejta tregojnë tym të dendur dhe mbeturina.
Një dëshmitar okular i tha SIC Notícias se tramvaji doli nga shinat me një zhurmë të madhe, rrëshqiti në rrugën e pjerrët dhe u përplas në një ndërtesë në sheshin ”Restauradores” në qendër të Lisbonës.
Ekipet e ndihmës së shpejtë dhe oficerët e policisë mbërritën shpejt në vendngjarje./ a.jor.