LISTA/ Top 100 kompanitë me fitimet më të mëdha në Shqipëri

Siç është bërë traditë e përvitshme, Revista “Monitor” ka publikuar listën e kompanive me fitimet më të larta për vitin 2024.
Për të dytin vit radhazi, në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, mbizotërojnë sipërmarrjet, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, 42 të tilla, ose 21% e totalit, me një rënie të lehtë në krahasim me 25%, që ishin në vitin 2023.
Megjithatë, revanshi i fitimeve të ndërtimit po shfaq shenja ngadalësimi. Në vlerë, fitimet e 42 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën me 12%, nga 45%, që kishte qenë zgjerimi për dy vitet e mëparshme. Kjo rritje e shpejtë e fitimeve në 2022 – 2023 shpjegoi dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit
Në të njëjtën linjë dhe normat e fitimit u përmirësuan dukshëm nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n, 15.9% në vitin 2021, 19% në vitin 2022 dhe 27% në vitin 2023.
Por, viti 2024 solli sërish rënie të përfitueshmërisë, teksa norma e fitimit të shoqërive nga ky segment në listën e 200-shes u reduktua në rreth 20%.
Me sektorin që po i ul gradualisht fitimet dhe po hyn në një cikël të ri maturimi, energjia duket se po bëhet ndërtimi i ri. Ndryshe nga vitet e kaluara, që nxitën investimet në hidrocentralet e vogla, që rezultuan dhe vijojnë të jetë shumë fitimprurës, kapitali i ri po shkon drejt paneleve fotovoltaike duke tërhequr dhe shumë ndërtues.
Tre hyrje të reja nga ky segment këtë vit kishin norma dyshifrore. Ndërtimi dhe investimet e reja sugjerojnë që në të ardhmen numri i tyre do të shtohet. Në renditjen e këtij viti ka 17 shoqëri të segmentit të energjisë, në tregtim, prodhim nga uji e nga dielli.
Koncesionet, një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në dekadën e fundit, po bien nga piedestali, teksa shumica e tyre janë drejt përfundimit dhe për momentin nuk ka të reja, deri sa të fillojë vrulli i koncesionit të rrugëve, siç duket nga tendenca e qeverisë dhe e financave.
Për të dytin vit radhazi, bankat shënuan fitime rekord, të ndikuara nga një mjedis me norma ende të larta interesi, ndonëse në gjysmën e vitit filloi politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që pritet të ushtrojë presion për marzhet në periudhën në vijim.
Në tregun financiar, sigurimet mbeten me norma të ulëta njëshifrore në fitime, si rrjedhojë e nivelit të ulët të primeve për frymë dhe në mungesë të një trendi për ndryshime në këtë aspekt.
Biznesi i kujdesit për shëndetin, një aktivitet me humbje prej më se një dekade, më në fund ka arritur pikën e kthesës së rentabilitetit, teksa pas dy dekadash, spitalet private po deklarojnë fitime.
Në epokën e teknologjisë së informacionit, numri i sipërmarrjeve nga ky segment numërohet me gishtat e dorës, ndonëse normat e fitimit janë të larta.
Normat e fitimit mbeten të ulëta edhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti, ndonëse disa prej tyre kanë arritur të shtojnë fitimet nga nënçmimi i monedhës europiane. Supermarketet e mëdha panë tkurrje të fitimeve në vitin 2024, të ndikuara nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe shtimi i konkurrencës.
Për herë të parë këtë vit, në listën e “Monitor 200”, ka dy struktura të mëdha hoteliere, në linjë me zhvillimet pozitive të këtij sektori. Në kontrast, pjesa më e madhe e hoteleve, sidomos në kryeqytet, raportojnë norma shumë të ulëta fitimi, të ndikuara dhe nga rënia e Euros, që ndryshe nga pasuritë e paluajtshme e kanë të vështirë ta transferojnë në çmim.
Më fitimprurësit në këtë segment po rezultojnë fshatrat e mëdhenj turistikë, që për vetë modelin e biznesit kanë kthim të lartë e të shpejtë, ndryshe nga hotelet që janë një sipërmarrje shumë më e mundimshme, ndonëse këto të fundit sjellin më shumë vlerë të shtuar në ekonomi.
Kthimi i vendit në një destinacion turistik, krahas ndikimit direkt e indirekt në ekonomi, konsum, investime në struktura akomoduese, etj., po nxit edhe një segment tjetër, atë të turizmit shëndetësor.
Për herë të parë në renditjen e 2022, në listë hynë shoqëri që veprojnë në ofrimin e shërbimeve estetike e atyre dentare, që shënuan dyfishim të të ardhurave. Por në vitin 2023, rritja u ngadalësua, në një sinjal se tregu po maturohet. E njëjta tendencë vijoi dhe në vitin 2024, e ndikuar dhe nga konkurrenca e fortë.
Tregtimi i hidrokarbureve vijon të jetë një biznes që qarkullon shumë para, por ka pak ose aspak fitime, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%.
Ja Top 100 kompanitë me fitimet më të larta në Shqipëri:

