LIVE TV- Thirri protestë kombëtare, por Berisha mungon sërish! Demokratët marshim, i bashkohen grupit të protestuesve të Ministria e Arsimit, pjesë edhe maskat

Thirri për të dytën të shtunë radhazi një protestë kombëtare para Kryeministrisë, por Sali Berisha zgjodhi sërish të mos ishte i pranishëm. Ashtu si një javë më parë, thirrjes së kreut të Partisë Demokratike iu përgjigj vetëm një grup i vogël militantësh, siç tregojnë pamjet e Report Tv me dron, në orën 13:00.
Në vend të tij, Berisha dërgoi para Kryeministrisë drejtuesit dhe deputetët e Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Nokën, Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkajn, Belind Këlliçin dhe deputetë të tjerë. Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.
Por marshimi i tyre drejt Ministrisë së Arsimit ku ndodhen protestuesit nuk shkoi siç demokratët e kishin menduar. Me t'i parë të mbërrinin, protestuesit krijuan një kordon duke mos i lejuar të bashkoheshin me ta. Veç dorëheqjes së Ramës, ata ua kujtuan me thirrjet e tyre se nuk kanë harruar as liderin e PD.


"Rama në burg, Berisha në burg" dhe "opozitë e shitur", thirrën protestuesit duke tensionuar deputetët e opozitës. Nga ana tjetër këta të fundit, u përpoqën të mposhtnin thirrjet e protestuesve me versionin "Rama në burg, Belinda në burg".
Më herët, deputeti Belind Këlliçi dhe sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, u përplasën verbalisht me efektivët, duke pretenduar se policia po pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe kishte ndërhyrë edhe ndaj deputetëve.
Por ndryshe nga një javë më parë, kur militantët demokratë dogjën shiltet e vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesë për dialog, këtë herë qëndrimi para godinës së qeverisë zgjati vetëm pak minuta. Pas një fjale të mbajtur nga Flamur Noka në emër të Partisë Demokratike, protestuesit nisën marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.
lajm ne perditesim...
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:36
Bashkohen dy protestat, të rinjtë krijojnë kordon për të penguar demokratët! Thirrjet “Berisha në burg” tensionojnë mbështetësit e PD-së
Bashkohen dy protestat në Tiranë, por jo protestuesit. Mbështetësit e Sali Berishës marshuan nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por të rinjtë krijuan një kordon para tyre, duke mos i lejuar të afrohen më shumë. Thirrjet “Berisha në burg” tensionuan mbështetësit demokratë.
Një grup demokratësh arritën të çajnë kordonin dhe të afrohen pranë Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që të rinjtë vijojnë të pengojnë afrimin e mbështetësve të tjerë të PD-së. Protestuesit e rinj nuk ndalën as thirrjet “Opozitë e shitur”.
Ora 13:27
Berisha mungon, deputetët demokratë marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar protestuesve (VIDEO)
Sali Berisha mungoi në protestën e dytë kombëtare. Ai ka dërguar vetëm deputetët demokratë, të cilët pasi qëndruan para Kryeministrisë, ku në emër të PD-së mbajti një fjalim Flamur Noka, marshuan drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar grupit të protestuesve të tjerë, ku nuk mungojnë as ata me maska.
"Të gjithë shqiptarët kanë vetëm një mesazh dhe ne si demokratë e përcjellim sot këtu, studentët që janë atje. Ka vetëm një mesazh: Edi Rama largohu, ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë. Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë dhe ti e di secili është fundi. Ndaj edhe kjo është motoja mbi bazën e të cilës është thirrur kjo protestë e dytë kombëtare e PD, për të qenë në sinkron të studentëve, për t’i mbështetur studentët. Kërkesat e tyre duhet të respektohen, zëri i tyre duhet të dëgjohet. PD ka qenë dhe është dhe do të vazhdojë t’i mbështesë kërkesat e studentëve dhe studentët në protestën e tyre. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta do të vijojë tek studentët atje tek sheshi ku ata nisën betejën", tha Flamur Noka.
Ora 13:20
Protesta te Ministria e Arsimit, një pjesë e protestuesve të maskuar! Njëri prej tyre maskohet si Rama (VIDEO)
Një grup protestuesish janë mbledhur këtë të shtunë para Ministrisë së Arsimit.
Ashtu si herët e kaluara një pjesë e protestuesve kanë zgjedhur të jenë të maskuar.
Njëri prej tyre ka vendosur të maskohet si Kryeministri Edi Rama.
Ora 13:14
Protesta te Ministria e Arsimit/ Protestuesit e vegjël të maskuar ulen në rrugë para efektivëve (VIDEO)
Dy protestues të vegjël të maskuar janë ulur te vizat e bardha në rrugën te Ministria e Arsimit, ndërsa para tyre qëndrojnë efektivët.
Krah fëmijëve ndodhet edhe një protestues me veshje popullore dhe flamurin kombëtar në dorë.
Ora 13:08
Protesta kombëtare e PD, një grup militantësh para kryeministrisë (PAMJET ME DRON)
Partia Demokratike thirri sot një protestë kombëtare, para Kryeministrisë.
Report Tv sjell pamjet me dron (ora 13:00) nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, ku shihen vetëm një grup militantësh.
Edhe pse ishte vetë që thirri protestën, kreu i PD Sali Berisha nuk është i pranishëm.
Ora 13:06
Thirri protestën e PD, asnjë shenjë e Berishës para kryeministrisë! Dërgon Nokën, Bardhin dhe deputetë të tjerë

Kupola drejtuese dhe eksponentë të Partisë Demokratike janë bërë pjesë të protestës që kanë thirrur para kryeministrisë.
Mes tyre shihen Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, si dhe pjesëtarë të Partisë së Lirisë si Erisa Xhixho, Tedi Blushi. Më herët u shfaq edhe Belind Këlliçi.
Kreu i PD, Sali Berisha, ashtu si dhe të shtunën e kaluar të protestës kombëtare që thirri, mungon sot. Megjithatë, PD ka shprehur vazhdimisht mbështetje për protestën dhe më vonë pritet t’i bashkohet protestuesve të grumbulluar te Ministria e Arsimit.
Ora 12:50
Protesta te Ministria e Arsimit, polici ndihmon të moshuarën dhe bisedon me të (VIDEO)
Ndërsa në bulevard deputetët e Partisë Demokratike përplasen me policinë, te Ministria e Arsimit pamja është plotësisht e ndryshme.
Protestuesit deri më tani nuk kanë kryer asnjë sulm, ndërsa një polic shihet duke mbajtur për krahu një zonjë të moshuar ndërsa bisedon me të.
Ora 12:45
‘Hiqe dorën, plehrë!’ Këlliçi e Blushi përplasen me policët: Po pengoni lëvizjen e njerëzve (VIDEO)
Deputetët Belind Këlliçi e Tedi Blushi janë përplasur me policinë në bulevard duke akuzuar se nuk lejojnë kalimin e qytetarëve. Në një moment, Blushi përpiqet të shtyjë policët, të cilët nuk e lejojnë të vazhdojë përpara.
Policia: Ikni mbrapa!
Qytetari: Hap rrugën aty se do të iki në shtëpinë time!
Policia: Kemi një urdhër.
Tedi Blushi: Ça urdhri?
-Është deputet, mos e prek me dorë! nuk ke të drejtë ta prekësh me dorë!
Edhe mes Këlliçit e policëve ka një përplasje ku deputeti edhe fyen efektivët. Këta të fundit i thonë se ka një perimetër sigurie i cili pengon lëvizjen.
Belind Këlliçi: Hiqe dorën! Plehrë!
Policia: Prit pak!
Belind Këlliçi: Për çfarë i pengon njerëzit? Ça problemi ka, pse pengohen njerëzit?
Policia: Është perimetri i sigurisë.
Qytetari: Nga kush siguroheni? Nga kush keni frikë?
Belind Këlliçi: Dua të kaloj bashkë me zotërinë që është në biçikletë, në rrugë të vet.