LONDËR – BM refuzon të nënshkruajë marrëveshjen për IA në Paris

LONDËR, 12 shkurt /ATSH-DPA/- Qeveria merr vendime bazuar në atë që është më e mira për popullin britanik, tha ministri i Strehimit, Komuniteteve dhe Pushtetit Lokal, Alex Norris, Britania e Madhe refuzoi të nënshkruante marrëveshjen ndërkombëtare për inteligjencën artificiale (AI) në samitin e Parisit.
Britania e Madhe iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke mos pranuar të nënshkruante një komunikate të lëshuar në fund të Samitit dyditor për IA-në në Paris – të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron – lidhur me drejtimin e ardhshëm të teknologjisë përçarëse.
Deklarata për inteligjencën artificiale gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për njerëzit dhe planetin u nënshkrua nga 57 vende, përfshirë Indinë dhe Kinën, si dhe Vatikani, Bashkimi Evropian dhe Komisioni i Bashkimit Afrikan.
Megjithatë, Britania e Madhe tha dje në mbyllje të samitit se kishte refuzuar të mbështeste komunikatën e përbashkët – pasi nuk kishte arritur të siguronte “qartësi praktike” të mjaftueshme mbi “qeverisjen globale” të IA-së, ose të adresonte “pyetje më të vështira” në lidhje me sigurinë kombëtare.
Sipas raporteve, SHBA-ja nuk e nënshkroi deklaratën pasi kishte shqetësime për disa nga formulimet e përdorura në dokument, të cilat përfshinin referenca për zhvillimin e inteligjencës artificiale “të hapur”, “përfshirëse”, “transparente” dhe “të qëndrueshme”.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance kritikoi dje ne samit – qasjen e BE-së për rregullimin dhe moderimin e përmbajtjes në sektorë të tjerë – duke u kërkuar udhëheqësve të përdornin një qasje të lehtë për rregullimin e IA-së për të nxitur inovacionin, ndërsa paralajmëroi gjithashtu partnerët ndërkombëtarë të mos bënin marrëveshje me “regjimet autoritare” rreth teknologjisë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer nuk mori pjesë në samit, por Britania e Madhe u përfaqësua në Paris nga sekretari i Teknologjisë Peter Kyle. //a.i/