E Enjte, 5 Nëntor 2026

LONDËR – Starmer shoqërohet nga fotografë dhe mbështetës në qendrën e votimit

LONDËR, 4 korrik /ATSH-ANSA/ – Lideri laburist Keir Starmer – i cili pritet të shpallet kryeministër i Britanisë së Madhe për shkak të fitores së pritur të partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme – votoi sot së bashku me bashkëshorten e tij Victoria në qendrën e votimit në Holborn në Londër, ku kishte fotografë dhe mbështetës të tij.

Para se të hynte në ndërtesë, Keir, i qetë dhe i buzëqeshur, shtrëngoi duart me disa prej tyre.

Një imazh shumë i ndryshëm nga ai i kryeministrit konservator në largim, Rishi Sunak, i cili votoi me bashkëshorten e tij në veri të Anglisë – praktikisht pa u takuar me njerëz në hyrje të qendrës së votimit.

Ndërsa kreu i partisë populiste “Reforma” në Britaninë e Madhe, Nigel Farage, zgjodhi të votojë me postë – siç po bëjnë miliona britanikë – një mënyrë shumë e përhapur në vend, pavarësisht vonesave në dërgimin e mijëra fletëvotimeve ditët e fundit.

Sipas sondazheve të shtatë ditëve deri më 3 korrik, Laburistët janë mbështetur me 39% të votave – vlerësimi më i ulët i partisë që nga fillimi i fushatës, 18 pikë përpara Konservatorëve (21%), e ndjekur nga “Reforma” populiste e krahut të djathtë në Britaninë e Madhe me 16%, Liberal Demokratët e qendrës me 11% dhe të Gjelbërit me 6%.

Konservatorët kanë shënuar një rritje të lehtë në krahasim me shifrat e javës së kaluar, ndërsa laburistët janë në rënie, për shtatë ditët deri më 26 qershor laburistët janë mbështetur me 41%, konservatorët 20%, “Reforma” 16%, liberal demokratët 11% dhe të gjelbërit 6%.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›