LSI: Jo më komisione bipartizane

Ky ishte qëndrimi që formuloi dje nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Sipas tij, në politikë nuk mund të vendosin vetëm dy partitë e mëdha, por vendime të rëndësishme siç është edhe amendimi i Kodit Zgjedhor, kërkojnë bashkëpunimin e të gjithëve.
“Mund të them që ka ikur koha e dypolaritetit në këtë strukturë të Kuvendit dhe se për amendimin e kodit duhet dhe prania e partive jashtë dhe brenda Parlamentit”, sugjeron përfaqësuesi i LSI-së.
Nga ana tjetër, një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale, Naço thekson se prania e përfaqësuesve të forcave të tjera politike, duhet të bëhet edhe te komisionet zgjedhore.
Nënkryetari i Kuvendit thekson se pjesëmarrja e tyre në këto komisione bën të mundur më shumë transparencë dhe siguri në garat elektorale, të cilat pritet të ndodhin në vend.
“Të gjitha partitë parlamentare të përfaqësohen me komisionerë. Ne e kemi vuajtur vetë mospasjen e komisionerëve dhe nuk kërkojmë që për shkak të kësaj formule, sot ne përfaqësohemi me komisionerë dhe të përjashtojmë forcat e tjera politike”, deklaroi përfaqësuesi i LSI-së.