E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Opozita, zëdhënëse e vlerave të BE-së

Kreu i opozitës, Edi Rama i ka bërë kërkesë miqve ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 8 majit, dhe ka deklaruar se opozita do të jetë zëdhënëse e vlerave të BE.

Kryesocialisti, duke cituar edhe njëherë se drejtësia ka vdekur në vend, shtoi se u vërtetua se kryeministri Berisha i vjedh zgjedhjet dhe nuk i fiton ato, dhe se veshi i pushtetit është shurdhë.

“Ç`ka ndodhi me zgjedhjet, jo vetëm provoi se Saliu zgjedhjet i vjedh, por tregoi sesa i shurdhër është veshi i pushtetit të vjedhur. Ne i kërkojmë sot publikisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë, që në kushtet kur vjedhja ka ndodhur hapur dhe gjykata ka refuzuar gjykimin e çështjes, të mos mjaftohen me predikimin qëllim-mirë të radhës. Populli ka nevojë të dëgjojë të vërtetën e miqve të çmuar. Ata nuk janë palë dhe nuk mund të bëhen pjesë e vjedhjeve, duke trajtuar dhe shkelur dhunshëm vlerat e standarteve të integrimit evropian. Për të gjitha përpjekjet e bëra që rruga ligjore e ndjekur prej nesh, ne i garantojmë ata se PS-ja dhe opozita e bashkuar do të jenë zëdhënëse të vlerave, parimeve, standarteve të integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO”, u shpreh Rama.

Kryetari i PS-së, edhe njëherë deklaroi se në këto çaste mes palëve nuk ka një dialog të mundshëm, në kushtet kur sipas tij qeveria ka vjedhur opozitën. “Ajo që ndodhi në Tiranë ishte jashtë çdo standarti dhe nuk duhet të përsëritet më kurrë. Këtë presim ta dëgjojmë nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë, që përfaqësojnë botën e ëndërruar, ku opozita nuk trajtohet si armik i brendshëm i vendit. Vetëm pastaj mund të flitet jo thjesht për dialog, por edhe për paketë reformash kushtuetese ligjore. Këtë paketë nuk mund ta garantojë Saliu, por vetëm komuniteti ndërkombëtar, që duhet ta kuptoj se këtë herë në Tiranë nuk u vodh opozita, por edhe BE dhe OSBE”, nënvizoi gjithashtu kreu i PS.

Në fjalën e tij ai informoi edhe për kursin e mëtejshëm që do të ndjekë tashmë kjo forcë politike. “Saliut i them: Në gjurmët e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë do të gjesh fundin e pashmangshëm të pushtetit tënd”, përfundoi fjalën e tij Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›