E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Ylli: Shqiptarët e refuzuan Ramën

“Butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit,  si rrjedhojë nuk përcoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij. E gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve”, tha anëtari i kryesisë, Dritan Ylli. 

Ai shtoi se qytetarpt e refuzojnë mashtrimin e Ramës, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth.  “Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera. Refuzimi ishte provë e qartë se shqiptarët nuk mbështesin antikauzat ekstremiste, që shkojnë kundër integrimit europian të Shqipërisë”, vijoi ai.

Sipas Yllit, qytetarët dhe veçanërisht ato të Tiranës u treguan indiferent ndaj kësaj proteste.  Zyrtari i LSI-së tha se “ky refuzim i gjerë, është shprehja më e mirë e dëshirës së të gjithë shqiptarëve për integrim dhe jo për radikalizëm ekstremist, që përçon frymë të vjetër. Kjo frymë e vjetër u shfaq në mënyrë të trishtë nga përfaqësuesit më të vjetër, të politikës më të vjetër të Partisë së Punës”.

“Procesi i integrimit evropian dhe hapi i parë i madh i liberalizimit të vizave, është një proces i pandalshëm. Shqiptarët duan këtë dhe jo frymën destabilizuese, shqiptarët duan qetësinë dhe jo kaosin, shqiptarët kërkojnë një Shqipëri evropiane dhe jo Republikën ish-komuniste të Edi Ramës”, nëvizoi Ylli.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›