LSI dhe PD bashkë në zgjedhje lokale

Tiranë, 8 gusht - Pavarësisht klimës së zbutur midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me dekretet e presidentit apo të amendimeve në ligjin për SHISH, dy forcat kanë rifilluar përplasjet me njëra-tjetrën. Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi sjellje e Partisë Socialiste ndaj LSI-së si armiqësore dhe se kjo sjelle ka bërë, sipas saj, që PS të mbetet në opozitë në dy zgjedhje të përgjithshme politike. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i kësaj force, Luan Rama, u shpreh se LSI do të shqyrtojë të gjithë emrat e mundshëm për kandidatë për t'u përballur me kreun aktual të Bashkisë së Tiranës. Kjo ka sjellë, siç shkruan gazeta Shekulli, edhe reagimin e selisë rozë, e cila e akuzoi LSI-në se ka mashtruar shqiptarët lidhur me politikën e punësimit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u shpreh se sfida kryesore e LSI-së në zgjedhjet e ardhshme lokale do të jetë bashkia e kryeqytetit dhe, sipas tij, bashkëpunimi me Partinë Demokratike do t'i japë humbjen kreut aktual të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama. "PS-ja dhe lidershipi i saj e di shumë mirë se cili ka qenë roli i LSI në fitoren e PS dhe të kryetarit të PS në zgjedhjet e kaluara lokale, ashtu sikundër e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë nëse sjellja e tyre do të vazhdojë të jetë e njëjtë, jo vetëm e thjeshtë ndaj LSI, por ndaj qytetarëve të Tiranës dhe ndaj interesave të vendit", theksoi sekretari i LSI-së. Luan Rama la të hapur mundësinë që kjo forcë të dali me një kandidat të përbashkët me PD-në dhe se kjo forcë do të japë alternativë e saj në tryezën e koalicionit. "Ne kemi emrat tanë dhe kur të shkojmë tek emri që do të përcaktohet do të nisemi nga interesi i qytetarëve dhe nga ai emër që garanton fitoren maksimale në zgjedhjet e Tiranës natyrisht, por që garanton sipas të njëjtit model edhe fitoren në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në të gjithë vendin", sqaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Dikur ish-deputet i Partisë Socialiste, Luan Rama, akuzoi lidershipin socialist se vazhdon të mos ofrojë alternativa, duke mos u sjellë si një opozitë europiane. Sipas tij, lidershipi i opozitës nuk merr mendimin e bazës dhe vazhdon t'i bëjë llogaritë ashti si në zgjedhjet e kaluara. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e quajti sjelljen e Partisë Socialiste si "monument i politikës së vjetër". Ndërkohë, ka reaguar selia rozë nëpërmjet zëdhënëses Armela Imeraj, e cila deklaroi se akuzat e LSI-së lidhen me frikën që ka kjo forcë nga vota e shqiptarëve. "Nëse LSI mendon se mund të fitojë diçka duke vjedhur vota si në zgjedhjet e 2009-ës në Ndroq, ta harrojë", theksoi Imeraj. Sipas socialistëve, LSI tradhtoi dhe gënjeu votuesit e majtë, duke mbajtur në pushtet Berishën.