E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende nuk dihet fati i pushimores së fëmijëve “Pishat e Deçanit”

Deçan, 7 gusht  - Largimi i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare nga kompleksi i objekteve të pushimores së fëmijëve në Deçan “Pishat e Deçanit” dhe kthimi i saj fëmijëve të Kosovës po bëhet një proces gjithnjë e më i ndërlikuar sesa që është deklaruar muajt e kaluar nga forcat italiane të KFOR-it, të cilat para 11 viteve e shndërruan atë në kamp ushtarak.
Që nga fillimi i këtij viti është proklamuar largimi i forcave italiane nga pushimorja, kur edhe janë ulur në tavolinë ushtarakët italianë, pushtetarët deçanas dhe priftërinjtë e Manastirit të Deçanit, që të gjejnë zgjidhjen më të mirë për të gjitha palët.
Në fillim të pranverës ishte caktuar muaji qershor si datë e lirimit të pushimores “Pishat e Deçanit”, por këtij vendimi nuk i janë përmbajtur forcat italiane të KFOR-it, të cilat duket që nuk i kanë më kompetencat e vendimit për lirimin e pushimores, pasi që në deklaratën zyrtare të KFOR-it për KosovaLive nuk jepen sqarime dhe përgjigje konkrete lidhur me pyetjet e parashtruara për arsyet e mospërmbajtjes së premtimeve të dhëna.
“Transferimi i përgjegjësive nuk është implementuar në mënyrë autonome nga KFOR-i, sipas direktivave nga ana e Komandës Aleate Strategjike për Evropë e NATO-s me seli në Bruksel, e cila mbështetet në vlerësimin e komandantit operativ për kushtet e sigurisë. Kurse për çdo informatë tjetër për çështjen e pushimores drejtohuni Komandës kryesore të KFOR-it në Prishtinë”, deklaroi shefi i Zyrës për informim i Grupit Shumëkombësh Luftues Perëndim, nënkoloneli Angelo Vesto.
Derisa më herët flitej për kohën kur mund të lirohet pushimorja, tash forcat italiane nuk japin datë të caktuar kur mund të ndodhë kjo, përveç që premtojnë se të gjitha transferimet do të realizohen me transparencë maksimale dhe pa asnjë befasi.
Edhe po të lirohej pushimorja, Komunës së Deçanit nuk do t’i lejohet menaxhimi i këtij kompleksi, ngase kjo është menduar t’i besohet “Karitasit” italian, i cili, me dëshirën e vet apo me kërkesë të dikujt tjetër, ka paraqitur një ofertë.
“Kemi formuar një komision për vlerësimin e kësaj oferte dhe tash komisioni është duke e shqyrtuar atë. “Karitasi” italian dëshiron ta marrë pushimoren në menaxhim për 30 vjet, por ne jemi të pajtimit vetëm për 10 vjet”, jep një arsye të mundshme të bllokimin e procesit për lirimin e pushimores, kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili në fakt është më tepër në rolin e shikuesit sesa të vendimmarrësit në këtë çështje.
Semanaj nuk përmend ndonjë arsye tjetër për mbetjen peng të pushimores, megjithëse ai nuk e mohon ekzistimin e problemeve më të thella.
Manastiri i Deçanit nuk përmendet nga asnjëra palë si faktor bllokues për lirimin e pushimores, por fakt është se kjo pushimore së bashku me shumë ndërmarrje të tjera me rreth një mijë hektarë tokë tash konsiderohen “pronë” e Manastirit me Pakon e Ahtisaari-t, pasi me atë pako përcaktohet se çdo tokë apo ndërmarrje që ndodhet në “zonën mbrojtëse” është pasuri e Manastirit, prandaj Manastiri e ka fjalën e fundit për çdo vendim që ka të bëjë me tokat në këtë zonë, përfshirë edhe shumë prona private, pronarëve të të cilave edhe më tej po u mohohet e drejtat mbi pronën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›