LSI-ja prezanton kandidatin e saj për deputet
Bulqizë
Dega e LSI-së Bulqizë zhvilloi një takim me strukturat e saj. Në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i LSI-së së Shqipërisë, Ilir Meta, dhe nënkryetari i LSI-së, dhe zëvendësministri i Transporteve, Ylli Manjani. Takimin e hapi kryetari i degës së LSI-së së rrethit, Ilir Balla, i cili ndër të tjera, në fjalën e tij, pasi bëri një rezyme të shkurtër të funksionimit të strukturave të degës, e vlerësoi pjesëmarrjen e kryetarit të sapozgjedhur të LSI-së në konventën kombëtare, zotit Ilir Meta në takim si tepër të rëndësishme, që do motivojë strukturat e degës së LSI-së, për të arritur rezultate të mira në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë takim e mori fjalën dhe përshëndeti kryetari i LSI-së, zoti Ilir Meta, i cili konfirmoi se LSI-ja është për shtensionimin e konfliktit artificial që vijon për një kohë të gjatë me akuza dhe sharje mes dy forcave të mëdha politike, duke u bërë pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Pastaj zoti Meta prezantoi para strukturave të degës së LSI-së, kandidatin për deputet të Bulqizës në zgjedhjet e pritshme parlamentare, zotin Përparim Spahiu, të cilin e vlerësoi si një kandidaturë tepër të gjetur për të fituar mandatin e deputetit në Parlamentin e ardhshëm. Do sfidojmë të gjitha pengesat që vendi dhe Bulqiza të ecin shumë më shpejt, vijoi fjalën e tij Meta. Përshëndeti takimin edhe nënkryetari i LSI-së, zoti Ylli Manjani, i cili në fjalën e tij bëri thirrje për të punuar më shumë që vendi dhe Bulqiza të ecin përpara. Dhe këtë më mirë se LSI-ja dhe Ilir Meta që ka folur për marrjen e taksës rentiere të minierës nga pushteti lokal, nuk mund ta bëjë askush. Përshëndeti edhe kandidati i saposhpallur për deputet i LSI-së në Rrethin e Bulqizës në zgjedhjet e 2013, zoti Përparim Spahiu, i cili shprehu bindjen e plotë se Bulqiza qyteti ku lindi dhe u rrit, do ta mbështesë atë në zgjedhjet e pritshme parlamentare. H. L.
LSI-ja prezanton kandidatin e saj për deputet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip