E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI krijon grup parlamentar me 3 deputetë të PD

Mbi bazën e Rregullores së Kuvendit, për formimin e grupeve parlamentare nevojiten minimumi 7 deputetë, ndërkohë që LSI ka vetëm katër mandate -“të arta” - deputeti. Aktualisht në parlament janë formuar vetëm dy grupe të reja parlamentare. Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim janë dy grupet e konstatuara tashmë. Demokratët i kanë ofruar tre deputetë aleatit të ri qeverisës, LSI-së për të formuar grupin parlamentar. Kështu Paulin Sterkaj, Ismail Hoxha dhe Rajmond Hoxha janë deputetët që kanë firmosur për të qenë pjesë e grupit parlamentar të LSI-së. Drejtuesi i saj do të jetë deputeti i Durrësit, Lefter Koka, ndërsa nënkryetar Nasip Naço. Sterkaj do të jetë sekretar i grupit parlamentar.

Ndërsa grupi parlamentar i PD-së do të ketë 65 deputetë. Kryetar i saj do të jetë Astrit Patozi, por demokratët nuk kanë vendosur ende se kush do të jenë në postin e nënkryetarit dhe të sekretarit. Në sesionin e kaluar këto poste i ka mbajtur Ilir Bano dhe Aldo Bumçi. Drejtuesit e rinj pritet të zgjidhen në javën e ardhshme.

Ndërkohë, Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim duket se e kanë të vështirë që të formojnë një të tillë, për shkak se kanë vetëm një deputet në Kuvend. Deklarimi i grupit të PD-së me përbërjen e 65 deputetëve, duket si i ka shuar shpresat e dy partive për të formuar ndonjë grup parlamentar të përbashkët.

Në këtë legjislaturë parlamentare pritet të ketë 3 nënkryetarë parlamenti. Nasip Naço i LSI-së dhe Ardian Turku i PD-së janë dy zëvendësit e maxhorancës, ndërsa i treti pritet të caktohet nga ana e Partisë Socialiste.

Në legjislaturën e kaluar kishte tetë grupe parlamentare, ku pjesa më e madhe ishte krijuar në mënyrë fiktive, duke huazuar deputetë nga partitë e mëdha PD dhe PS.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›