LSI takim me simpatizantë në Durrës, Meta: Të gjejmë konsensusin për 3 ligjet e statusit
Lëvizja Socialiste për Integrim në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit organizoi pasditen e sotme një takim elektoral më mbështetës dhe simpatizantë të kësaj partie.
Qindra simpatizantë kanë mbushur ambientet e pallatit të Kulturës në Durrës, teksa pritet fjala e drejtuesve të kësaj partie. Kreu i LSI Ilir Meta gjatë fjalës së tij i bëri apel forcave politike që të gjejnë konsensusin e duhur me qëllim votimin e 2 ligjeve dhe rregullores së parlamentit, me qëllim marrjen e statusit kandidat për BE. “Jam krenar për LRI-në e Durrësit, për atë që keni arritur përmes këtij solidariteti të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse jam krenar për LRI-në e gjithë Shqipërisë, pasi ju jeni e sotmja e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë, dhe këtë do e tregoni më mirë me 23 qershori. Jam shumë i lumtur se ju pashë të veshur si marinarë, pasi të rinjtë dhe të rejat e Durrësit duan të ankorojnë sa më parë në BE. Sepse ne si LSI jemi distancuar dhe distancohemi nga çdo lloj bllokimi pasi ne nuk duam që Shqipëria të vijojë të regjistrojë shanse të humbura, pasi ne nuk duam të humbasim trenin e radhës drejt BE. Nuk duam që vendi të humbasë projekte dhe financime që do i hapnin vendit mijëra vende pune. Ndaj apeli i përshpejtimit të procesit të integrimit evropian, vjen më shumë se asnjë herë tjetër edhe nga qyteti i Shqipërisë i lidhjeve të hershme me perëndimin, nga Durrësi. Ndaj dhe ne si LSI shprehim edhe njëherë tjetër vendosmërinë tonë dhe u bëjmë apel gjithë forcave politike të gjejnë rrugën e konsensusit dhe kompromisit për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren që do të ndihmojnë vendin të marrë statusin e vendit kandidat, që të çelet një perspektivë më e mirë për ju”, tha Meta.
Koka: Në fokus të programit të LSI, integrimi i vendit
Deputeti Lefter Koka, njëherësh ish-kreu i Bashkisë së Durrësit gjatë fjalës së tij duke përshëndetur të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si forca frymëzuese e kësaj partia, tha se LSI ka vetëm një qëllim kryesor, integrimin e vendit në BE.
“Sot entuziazmi juaj na bën te ndihemi më krenar për të ardhmen e Shqipërisë. Si forcë politike ndihemi fatlum që kemi këto djem dhe vajza. Unë dua veçanërisht t’i shpreh mirënjohjen prindërve, vëllezërve dhe motrave që ju mbështesin të bëheni pjesë e kësaj lëvizje. Forca jonë ka një qëllim të vetëm, integrimin e Shqipërisë sa më parë në BE”- tha ai.