LUANDA – BE-Afrikë: Partneritet i ri dhe mundësi të reja

LUANDA, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan theksuan rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë mes dy kontinenteve në përfundim të samitit të tyre dy-ditor në kryeqytetin e Angolës.
“Duke parë përpara, jemi të vendosur të çojmë më tej partneritetin tonë dhe të shkaktojmë mundësi të reja”, thuhet në një deklaratë të përbashkët, e cila thekson bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe investimet.
Deklarata e përbashkët gjithashtu i referohet angazhimeve të mëparshme për financimin e klimës dhe promovimin e energjisë së rinovueshme në Afrikë.
Të dy blloqet theksuan së bashku nevojën për të zgjidhur konfliktet në mbarë botën.
“Ne ripërsërisim mbështetjen tonë të palëkundur për një paqe të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Ukrainë, Territorin e Okupuar Palestinez, Sudan, Sudanin e Jugut, Republikën Demokratike të Kongos (RDK), Sahel, Somali dhe në luftëra e konflikte të tjera në mbarë botën,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Ne dënojmë mizoritë e kryera në El-Fasher nga RSF pas marrjes së qytetit së fundmi dhe kërkojmë një ndalim të menjëhershëm të armiqësive dhe qasje të pakufizuar humanitare në të gjithë vendin,” deklarohet për situatën në rajonin sudanez të Darfurit Verior.
Organizata e Kombeve të Bashkuara e përshkruan luftën në Sudan, e cila ka zgjatur dy e gjysmë vjet, si krizën më të madhe humanitare në botë.
Të dyja palët riafirmuan angazhimin e tyre për demokracinë, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave. Megjithatë, deklarata nuk përmend shkeljet e të drejtave të njeriut. /Ad.Ab./