BRUKSEL – BE thellon bashkëpunimin e mbrojtjes me Ukrainën dhe rrit buxhetin ushtarak

BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH/ – Bashkimi Evropian hodhi një hap të ri të rëndësishëm drejt integrimit të industrisë së mbrojtjes me Ukrainën, ndërsa eurodeputetët miratuan me shumicë dërrmuese një program prej 1,5 miliardë eurosh për të forcuar kapacitetet ushtarake të bllokut dhe për të mbështetur Kievin, sipas AP..
Nga shuma totale, 300 milionë euro do të shkojnë drejtpërdrejt për Instrumentin e Mbështetjes për Ukrainën, në një kohë kur lufta vazhdon dhe paqartësitë mbi planin amerikan të paqes mbeten të mëdha.
Programi u miratua me 457 vota pro, ndërsa eurodeputetët theksuan se synimi kryesor është rritja e rezistencës së Evropës përballë kërcënimeve të jashtme, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës.
Raphael Glucksmann, eurodeputet francez, deklaroi se kjo iniciativë “do të ndihmojë në ndërtimin e një Evrope më sovrane dhe të aftë të mbrojë demokracitë e saj në mënyrë të pavarur”, përmes partneritetit me Ukrainën në ngritjen e një kompleksi të avancuar industrial ushtarak.
Komisioneri i Mbrojtjes, Andrius Kubilius, theksoi para votimit se Ukraina “ka nevojë për BE-në, por edhe BE-ja ka nevojë për inovacionet ushtarake të Ukrainës”.
“Përfshirja e kompanive ukrainase në programet evropiane të investimeve në mbrojtje do të mundësojë prokurimin e pajisjeve ushtarake në, me dhe për Ukrainën, duke integruar teknologjitë ukrainase në industrinë evropiane”, shtoi ai.
Shpenzimet e mbrojtjes në BE pritet të arrijnë këtë vit në rreth 392 miliardë euro, gati dy herë më shumë se katër vite më parë.
Sipas Komisionit Evropian, rreth 3,4 trilionë euro do të investohen në mbrojtje gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa është propozuar që buxheti afatgjatë për mbrojtjen dhe hapësirën të rritet në 131 miliardë euro.
Ky ndryshim pasqyron transformimin e BE-së nga një union ekonomik i lindur pas dy luftërave botërore, në një aktor të vendosur gjeopolitikisht në një kontinent të kërcënuar.
Blloku po u kërkon vendeve anëtare të blejnë shumicën e pajisjeve ushtarake brenda BE-së, në bashkëpunim me prodhuesit evropianë, për të shmangur varësinë nga jashtë. Blerjet nga vende jo-BE do të lejohen vetëm kur çmimi, performanca ose vonesat e furnizimit e bëjnë atë më të arsyeshme.
Për më tepër, kompanitë evropiane do të kenë akses në lehtësira tatimore dhe stimuj financiarë për projekte të përbashkëta si “Eastern Flank Watch”, “Drone Defense Initiative” apo “Space Shield”.
Përfshirja e industrisë ukrainase në këto projekte pritet të sjellë inovacione të rëndësishme në sistemet evropiane të mbrojtjes, duke rritur autonominë teknologjike të BE-së.
Së fundmi, Komisioni lançoi edhe një paketë të re që synon lëvizjen më të shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake nëpër Evropë, si dhe një “roadmap” për transformimin e industrisë së mbrojtjes, për të unifikuar rregullat dhe për të nxitur prodhimin vendas të armëve, municioneve, satelitëve dhe mjeteve ushtarake. /Ad.Ab./