LUKSEMBURG – BE mbështet palestinezët me financime prej 1,6 miliardë euro

LUKSEMBURG, 14 prill /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian tha sot se do të mbështesë rindërtimin dhe qëndrueshmërinë në Territoret Palestineze me 1,6 miliardë euro (1,8 miliardë dollarë) – që do të shpërndahen gjatë tre viteve.
“Me këtë program, BE-ja përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për popullin palestinez dhe angazhimin e saj për një paqe të qëndrueshme dhe të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, thuhet në një deklaratë të Komisionit Evropian.
“Fondet do të mbulojnë periudhën nga viti 2025 deri në vitin 2027 dhe janë të strukturuara rreth tre shtyllave”, thuhet në deklaratë.
“Nga totali, 620 milionë euro në grante të ndihmës direkte do t’i paguhen Autoritetit Palestinez (AP) për nevojat e tij urgjente dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e tij”, tha ai.
Një pjesë e ndihmës do të lidhet me reformat, duke përfshirë demokratizimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të buxhetit.
“Rreth 576 milionë euro të tjera janë caktuar për projekte specifike në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës – pasi ta lejojë situata në terren”, thuhet në deklaratë në lidhje me luftën në Gazë.
“Fokusi do të jetë në sektorë të ndryshëm duke përfshirë ujin, energjinë dhe infrastrukturën”, tha ai.
Gjithashtu, kreditë nga Banka Evropiane e Investimeve për financimin e sektorit privat palestinez do të mbështeten deri në 400 milionë euro.
Sipas BE-së, ajo është mbështetësja më e madhe e palestinezëve dhe ka vënë në dispozicion rreth 1,36 miliardë euro midis 2021 dhe 2024.
Më shumë se 1 miliard euro nga kjo thuhet se tashmë janë ndarë.
Në një takim të planifikuar sot në mbrëmje në Luksemburg, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme Kaja Kallas dhe kryeministri palestinez, Mohammad Mustafa kanë planifikuar të diskutojnë konfliktin e Gazës dhe perspektivat për një zgjidhje me dy shtete. //a.i/