FOKUS – Tensionet diplomatike përshkallëzohen ndërsa Algjeria dëbon 12 zyrtarë francezë

ALGJER, 14 prill /ATSH/- Vendimi i Algjerisë për të dëbuar 12 anëtarë të personelit konsullor francez duket se ka humbur shpresat për ndonjë afrim mes dy vendeve, sipas BBC.
Urdhri ishte në përgjigje të akuzave të ngritura në Francë të premten kundër një zyrtari konsullor algjerian, i akuzuar së bashku me dy algjerianë të tjerë për pjesëmarrje në rrëmbimin e një disidenti të opozitës në periferi të Parisit, një vit më parë.
Algjeri zgjodhi ta shihte arrestimin e zyrtarit si një shkelje flagrante të imuniteteve dhe privilegjeve që i bashkëngjiten funksioneve të tij diplomatike.
Sipas agjencisë zyrtare shtetërore algjeriane të lajmeve APS, ky incident gjyqësor i paprecedentë nuk kishte ndodhur rastësisht.
“Qëllimi i tij është të prishë rinisjen e marrëdhënieve dypalëshe të rënë dakord nga dy krerët e shteteve”, tha APS.
Biseda telefonike midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit algjerian Abdelmadjid Tebboune në fund të marsit – ishte një shenjë e parë e një pajtimi të mundshëm pas disa muajsh krize.
Pas një vizite në Algjer, një javë më parë – Jean-Noël Barrot, ministri i Jashtëm francez, konfirmoi gatishmërinë e të dyja palëve për të kthyer faqen.
Por, ky përshkallëzim dramatik – dëbimi më i madh i personelit konsullor francez që nga pavarësia e Algjerisë në vitin 1962 – sugjeron se zërat anti-francezë janë ende në rritje në qarqet qeveritare të Algjerit.
Duke lexuar mes rreshtave, është e qartë se objektivi i vërtetë i zjarrit algjerian nuk është Macron, por elementë në qeverinë e tij – veçanërisht ministri i Brendshëm Bruno Retailleau.
Retailleau – një konservator i krahut të djathtë me ambicie për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë – ka fituar një reputacion për deklaratat e tij të ashpra lidhur me migracionin, ligjin dhe rendin dhe marrëdhëniet me Algjerinë. //a.i/