LUKSEMBURG – Papë Françesku: Lufta është gjithmonë dështim

LUKSEMBURG, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Papë Françesku shprehu sot keqardhje lidhur me shfaqjen e “përçarjeve dhe armiqësive” të reja në Evropë, ndërsa vizitoi Luksemburgun, vendi i dytë më i vogël i Bashkimit Evropian.
Papa 87-vjeçar u bëri thirrje politikanëve të veprojnë dhe të demonstrojnë “gatishmëri për gjetjen e kompromiseve të ndershme”, duke theksuar që konfliktet e reja mund të kenë “pasoja shkatërrimtare dhe vdekjeprurëse”.
“Nuk duhet të harrojmë që lufta është gjithmonë dështim”, deklaroi Ati i Shenjtë.
“Luksemburgu provon më së miri përparësitë e paqes mbi tmerret e luftës dhe avantazhet e integrimit dhe promovimit të emigrantëve ndaj margjinalizimit të tyre. Madhësia ose popullsia e një vendi nuk përcakton rolin e tij të rëndësishëm në kontinent”, shtoi ai.
Luksemburgu ka një popullsi prej rreth 650 mijë banorësh, prej të cilëve pak më shumë se 40% janë katolikë. Pothuajse gjysma e banorëve në vend janë të huaj. Vetëm Malta ka popullsinë më të vogël mes 27 vendeve BE-së.
Mijëra njerëz duruan motin me shi duke u rreshtuar përgjatë rrugës për të përshëndetur kreun e Kishës Katolike teksa ai kalonte me makinën e tij, së bashku me kardinalin luksemburgas Jean-Claude Hollerich.
Papa do të shënojë 600-vjetorin e Universitetit Katolik të Leuvenit, i themeluar në vitin 1425. Ai gjithashtu do të mbajë meshën në stadiumin Mbreti Baudouin në Bruksel.
Papë Françesku mbush 88 vjeç në dhjetor dhe është kreu më i moshuar i Selisë së Shenjtë prej më shumë se një shekulli.
/u.sh/