E Diel, 1 Nëntor 2026

La Liga, 85 lojtarëve u skadojnë kontratat

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-01-2011 12:38

Është situatë mjaft e çuditshme, po të llogarisim se bëhet fjalë vetëm për 20 ekipet më të mira spanjolle

Tetëdhjetepesë. Janë shumë lojtarë në La Ligën spanjolle që do t’u përfundojnë kontratat në qershor dhe që janë të lirë që nga muaji që vjen, për të negociuar me klube të tjera për sezonin e ardhshëm. Si gjithmonë, në këtë listë ka gjithçka: duke u nisur nga ‘luanët’ e vjetër, lojtarët premtues e deri tek ata që nuk luajnë kurrë ose luajnë rrallë, të dëmtuarit kronikë apo raste të tjera. Disa prej tyre mund ta zgjedhin një ekip për ta përfunduar karrierën brilante, kurse të tjerë mund të rigjenerohen, e të tjerë mund të ngrihen përfundimisht në majën e futbollit europian. Fillojmë nga ata që kanë emër: madrileni Mahamadu Diarra, 6 tituj të kampionit rresht me Lion e Real Madrid, pastaj Markos Sena, kampion i Europës me Spanjën dhe tani i ndalur pas një serie dëmtimesh, sikundër edhe Ivan de la Penja i Espanjolit. Braziliani Edmilson, sulmuesi Tamudo, që në të kaluarën luajti te Espanjol e ‘Rifle’ Pandiani i Osasunas. Te Valencia kontrata i skadon portierit 39 vjeç, Sesar, i cili ishte titullar deri para dëmtimit të tij. Pastaj Visente nga po ky klub, i cili gjithashtu ka probleme me dëmtimet, si dhe shtylla e Valencias, Albelda, 33 vjeç. Edhe mbrojtësi serb Dragutinovic, mund të largohet nga Sevilja, pasi 35-vjeçari nuk i ka punët aspak mirë me gjurin. Edhe përfaqësuesit iranianë, Nekounam e Masud mund të largohen nga Spanja. Pastaj mbrojtësi danez i Malagas, portieri zviceran i Rasing, Koltorti dhe mbrojtësi 31 vjeç francez, Pamarot, që pati një sezon të mirë me Herkules. Luan pak dhe ka mundësi të largohet edhe braziliani Zhuka, që është pjesë e Deportivos. Rrugën e tij mund ta ndjekë edhe sulmuesi 31-vjeçar, Ivan Alonso, që mund ta lërë Espanjolin për shkak të minutazhin të vogël. Edhe mbrojtësi i ri i Real Madrid, Mateos, mund të largohet në verë, pasi nuk po gjen hapësira në skuadrën e Zhoze Murinjos. Pastaj mbrojtësi i majtë, Koikili, mund të largohet nga Athletik Bilbao, njësoj si Tote nga Herkules e Diego Kastro nga Gihon. Sisko Nadal e Sergio po luajnë mjaft mirë me Levanten dhe interesimi i skuadrave të tjera për ta nuk do të mungojë. Ata që vlejnë të përmenden janë edhe mbrojtësi i krahut i Espanjolit, Çika e mesfushori i Deportivos, Huan Rodriguez, që po ashtu do ta ndërrojnë mjedisin gjatë verës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›