E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina vendos: Sebino Plaku mbetet te Tirana

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-01-2011 12:35

Sulmuesi bardheblu nuk do të lëvizë nga kryeqyteti. Disiplinori vendos të mos pranojë kërkesën e lojtarit pas seancës dëgjimore. Mospagesa e tij? Numri i llogarisë ishte dhënë gabim! Flamurtarit i duhet të gjejë tjetër alternativë

Sebino Plaku sheh t’i shuhen ëndrrat “labe”. Për herë të dytë brenda pak muajsh, Komisioni i Disiplinës ka folur kundër tij, duke e lënë sulmuesin kryeqytetas te 24 herë kampionët e vendit. Pas seancës së djeshme dëgjimore, mes lojtarit e Tiranës në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, disiplinori ka vendosur që të mos e pranojë kërkesën ankimore të Plakut, duke qenë se mospagesa e lojtarit ka ardhur si pasojë e dhënies gabim të numrit të llogarisë bankare!!! Megjithatë, një gjë është e qartë, të humbur në këtë mes janë Plaku e Flamurtari. Sulmuesit do t’i duhet të shtyjë edhe disa muaj “ferri” te Tirana, në një ambient tërësisht armiqësor ndaj tij, ndërsa skuadra vlonjate kishte shpresuar se me të do të zgjidhte hallet në sulm. Ja edhe komunikata zyrtare e Komisionit të Disiplinës, që dje vendosi “Mos pranimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga lojtari Sebino Plaku, për konstatimin e zgjidhjes së kontratës së tij me KF “Tirana”, pasi nga provat e paraqitura nga palët gjatë seancës dëgjimore dhe verifikimet e kryera nga Komisioni, lidhur me pagesat e kryera nga llogaria e KF “Tirana”, rezulton se nga ana e lojtarit i është dhënë gabim numri i llogarisë bankare klubit, çka ka sjellë si pasojë që nga Raiffeisen Bank të mos mundësohet kalimi i pagesës së autorizuar nga KF “Tirana”, në llogari të këtij lojtari më datë 25/10/2010 e në vijim. Duke qenë se kushti i realizimit të pagesës rezulton të jetë shmangur nga veprime të vetë lojtarit, ky kusht i parashikuar në aneks-kontratën e datës 21/08/2010, konsiderohet i përmbushur nga ana e klubit, me dhënien e autorizimit për të bërë pagesat në favor të këtij lojtari”.

Planet e Flamurtarit

Ndërkohë, Flamurtari nuk mund të humbasë kohë. Plaku është një çështje e mbyllur tashmë dhe trajnerit Gugash Magani nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të gjejë një emër të denjë për të zëvendësuar sulmuesin tiranas. Në listën e dëshirave të kuqezinjve ka qenë prej kohësh Elis Bakaj, por edhe ky duket si një “mollë e ndalueme” për vlonjatët. Kështu, për Flamurtarin mbetet vetëm një pistë kryesore, merkatoja e huaj. Por, veç repartit të sulmit, Magani mund të operojë edhe për mesfushën. Devolli është dëmtuar së fundmi dhe mbase nuk do të jetë gati për startin e pjesës së dytë të sezonit, ndaj edhe mesfusha ka nevojë për një element shtesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›