LaCivita krah Berishës me të rinjtë: Kjo fushatë ka të bëjë ekonominë dhe të ardhmen

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së. Krah tij ishte edhe drejtuesi i fushatës së PD-së Chris LaCivita, i cili mbajti edhe një fjalë para të rinjve.
LaCivita u bëri thirrje të rinjve që të votojnë aleancën “PD – Shqipëria Madhështore”. Sipas tij kjo fushatë ka të bëjë me ekonominë dhe të ardhmen, ndërsa theksoi se është e rëndësishme që të rinjtë të angazhohen.
“Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në politikë, qoftë në Shtetet e Bashkuara apo këtu në Shqipëri, të rinjtë dhe votuesit e rinj të përfshihen dhe të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre, sepse e ardhmja jeni ju. Unë mendoj se politikat e 12 viteve të fundit e kanë bërë shumë vështirë të ardhmen dhe për mundësitë për të rinjtë. Por shumë nga politikat që sjell Dr. Berisha, synojnë pikërisht që ju të mund të qëndroni këtu, të gjeni mundësi, të keni sukses, dhe të ndihmoni në ndërtimin e vendit.
“E gjithë kjo fushatë ka të bëjë me çështjen më të rëndësishme: ekonominë dhe të ardhmen. Dhe ju djema, e keni plotësisht në dorë ta ndryshoni të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi. Por nuk mund ta bëni këtë nëse nuk ngriheni”, theksoi LaCivita.
LaCivita tha se të rinjve u intereson siguria personale dhe ekonomike. Ai shtoi se “nga pikëpamja strategjike, duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale dhe shumë më të pranishëm në mënyra jo tradicionale të komunikimit me votuesit”.
“Mesazhi për të cilin flet dr. Berisha, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë një të ardhme këtu, pa pasur nevojë të largohen në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, është thelbësor. Por, kur flasim për partitë e majta, socialistët gjithmonë qëndrojnë bashkë, sepse ata kanë një vizion të njëjtë për botën dhe për qeverisjen, një vizion që nuk e vendos individin në qendër”, tha LaCivita.
Sipas LaCivita zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër. Dhe, e dini, kjo ka të bëjë me ndërtimin e aleancave. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë, dhe sigurisht që dr. Berisha ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha LaCivita.
/r.e//a.f/