E Martë, 3 Nëntor 2026

Pezullohet nga detyra drejtori i përgjithshëm i AMP-së

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit është pezulluar nga detyra drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, shtetasi Florjan Sulejmani.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat u caktua masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin Florjan Sulejmani, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, njoftoi Prokuroria Berat.

Siç njoftoi Prokuroria e Beratit “kjo masë u mor në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””.

“Nga rrethanat e faktit dhe tërësia e akteve të administruara deri në këtë fazë të hetimit, u çmua se plotësohen kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal me karakter ndalues”, njoftoi Prokuroria e Beratit.

Sipas Prokurorisë “në çmuarjen e prokurorisë dhe konfirmimin e gjykatës, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore””.

“Po kështu, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria e Beratit nënvizoi më tej se “nën udhëheqjen e parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë dhe detyrën ekskluzive të Prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale, nga ana prokurorisë po vazhdojnë të kryhen veprime hetimore për të pasur një hetim të plotë dhe të gjithanshëm”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›