Laçi feston në Korçë, zhgënjen Skënderbeu, barazim pa gola Teuta-Dinamo

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Laçi ka marrë një fitore me shumë vlera në Korçë, 2-0 përballë Skënderbeut, duke u larguar nga zona e ftohtë e klasifikimit.
Në kuadër të javës së 24-t të “Abissnet Superiore”, kurbinasit arritën të sigurojnë ngjitjen në vendin e 6-të në klasifikim.
Në fundin e pjesës së parë, më saktë në minutën e 41-të, kurbinasit zhbllokuan sfidën me një gol të shënuar nga Bullari, ndërkohë që dyfishimi i rezultatit mbërriti në minutën e 86-të me autor william Cordeiro.
Korçarët, që në asnjë moment nuk arritën të dalin në lojën e tyre, në minutën e 59-të u detyruan të luajnë me një lojtar më pak. Më ndërhyrjen e VAR, Rashica u ndëshkua me karton të kuq.
Me këtë fitore kurbinasit ngjiten në kuotën e 27 pikëve, vendi i 6-të, ndërsa Skënderbeu mbetet i mbërthyer në kuotën e 20 pikëve në vendin e fundit.
Ndërsa sfida tjetër e ditës së sotme mes Teutës dhe Dinamos nuk prodhoi fitues, pasi u mbyll në barazim pa gola.
Kryeqytetasit renditen në vendin e katërt me 40 pikë, ndërsa durrsakët mbajnë vendin e tetë me 24 pikë.
/r.e/a.f/