Laçi triumfon në Kupën e Shqipërisë, për herë të parë në Europa Ligë
Skuadra e futbollit e Laçit është fituesja e Kupës së Shqipërisë pasi fitores 1-0 ndaj Bylisit në lojën që zgjati 120 minuta në Qemal Stafa.
Ekipi i Stavri Nicas e fiton për herë të parë këtë trofe duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë Laçit të përfaqësojë Shqipërinë në Ligën e Evropës.
Bylisi edhe pse luajti për më shumë se 100 minuta me 10 lojtarë, pasi Arifaj mori karton të kuq, arriti të mbajë rezultatin e paprekur deri në minutën e fundit të kohës së dytë shtesë të takimit. Ishte Emiljano Çela që zhbllokoi rezultatin për laçianët.
Më vjen keq, që skuadra më e mirë nuk e mori Kupën. Le të analizojë edhe njëherë Bardhyl Pashaj, çfarë regjisori ka qenë i filmit sot, për të marrë Kupën ekipi i Laçit. Laçi sot çdo gjë ka luajtur, vetëm futboll jo, ndaj më vjen inat. Kam pasur shumë besim te Bardhyl Pashaj, sepse kundër Skënderbeut në Korçë ka arbitruar shkëlqyeshëm, por më besoni, më ka befasuar shumë sot Bardhyl Pashaj me arbitrimin,- tha Naxhi Shensoji, trajner i skuadrës së Bylisit.
Kur humb, edhe unë në ato pozita dal. Gjithmonë gjykojmë të tjerët. Nuk kemi skuadra që të kemi ekuilibër në këto evenimente, sidomos në finale, sepse duhet të kesh lojtarë me përvojë, duhet të kesh luajtur nëpër evenimente të tilla. Do lojtarë më cilësorë, sidomos në vijën e sulmit, sepse kemi probleme në linjat e krahëve, të majtë e të djathtë, tha Stravri Nica, trajner i skuadrës së Laçit.
Tanimë Laçi do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të kompeticionit Liga e Evropës.