Lady Gaga bëhet nënë për herë të parë, mirëpret fëmijën me Michael Polansky

LOS ANXHELOS, 12 shtator / ATSH/ – Këngëtarja amerikane Lady Gaga është bërë nënë për herë të parë, pasi ka mirëpritur fëmijën e saj të parë me të fejuarin Michael Polansky, raportojnë mediat amerikane.
Lajmi u bë i ditur fillimisht nga Page Six dhe më pas u konfirmua nga People, përmes një burimi pranë këngëtares. Çifti është fotografuar së fundmi së bashku me të porsalindurin gjatë një shëtitjeje në Kaliforninë Veriore.
Lady Gaga, 40 vjeçe, dhe sipërmarrësi Michael Polansky, 42 vjeç, e kanë mbajtur jetën e tyre private larg vëmendjes së publikut. Të dy janë lidhur për herë të parë në vitin 2020 dhe u fejuan në vitin 2024.
Detaje të tjera për fëmijën, përfshirë emrin, gjininë dhe datën e lindjes, nuk janë bërë publike. Përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar për lajmin.
Këngëtarja e “Poker Face” dhe “Bad Romance” ka folur prej vitesh për dëshirën për t’u bërë nënë. Në një intervistë në vitin 2025, ajo e cilësoi mëmësinë si rolin që dëshironte më shumë, ndërsa në një tjetër deklaratë tha se ishte e emocionuar për të nisur këtë kapitull të ri të jetës.