Lagerbak: Do të mposhtim Shqipërinë e do jemi të dytët

Trajneri i Islandës, Lars Lagerbak, ka folur me superlativa pas barazimit spektakolar të skuadrës së tij 4-4 në fushën e kryesuesve të grupit, Zvicra.
Madje, tekniku suedez ka shkuar edhe më tej, teksa në një moment të tillë euforik dhe emocional, ka pohuar se fakti që ktheu nga 4-1 në 4-4 një ndeshje të tillë, Islanda e tij nuk duhet të trembet nga Shqipëria, të cilën e mundi edhe në “Qemal Stafa”.
Më tej ai foli edhe për ndeshjen me Shqipërinë. “Jemi në garë për të zënë vendin e dytë në grup, pavarësisht se Norvegjia fitoi dhe tani është një pikë para nesh. Gjithçka është ende e hapur, pasi ne do të luajmë këtë të martë ndaj Shqipërisë. Do të jetë një ndeshje realisht e vështirë, pasi edhe ata (shqiptarët) janë ende në garë, por besoj se kjo skuadër do dijë të tregojë forcën e vet ashtu sikundër bëri ndaj liderëve të grupit.
Nëse fitojmë dhe duke përfituar edhe nga përplasja Norvegji-Zvicër, besoj se pas të martës do të jemi në vend të dytë”, – ka pohuar Lagerbak./indeksonline/