Lajçak: Çështja e urës së Ibrit të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se çështja për hapjen e urës së Ibrit duhet të diskutohet e zgjidhet përmes dialogut Beograd-Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Lajçak u shpreh se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, shkroi ai.
Lajçak bëri me dije se çështja e urës së Ibrit dhe mënyra se si do të zbatohet marrëveshja do të jetë në fokus të takimit të radhës në Bruksel.
Sipas tij, imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve.
“Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, deklaroi Lajçak.
/rtsh.al/