Lajçak pas takimit me Vuçiqin: S’ka të ardhme evropiane për Serbinë dhe Kosovën pa zbatimin e marrëveshjes

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak ka deklaruar se pa zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve nuk ka të ardhme evropiane për Serbinë dhe Kosovën.
Kjo deklaratë e Lajçakut vjen pas takimit të “Pesëshes së Madhe” me Presidenti Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Lajçak tha se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë pasur takime të gjata me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme.
“Ne shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit, që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së”, tha Lajçak, duke theksuar se qëllimi i vizitës së “pesëshes së madhe” ishte të shihet se si të të bëjë përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe deeskalimit të situatës në Kosovë.
“Dënojmë fuqishëm sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia”, tha Lajçak.
Ai po ashtu ka kujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.
Lajçak tha gjithashtu se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë temë e takimit të krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën, si dhe se do të diskutohet më vonë në Këshillin e BE-së.
“Kjo vizitë do të ndikojë në ato diskutime”, nënvizoi Lajçak, duke theksuar se nuk ka të ardhme evropiane për Serbinë, e lëre më për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve në rrugën e normalizimit dhe marrëveshjeve të mëparshme.
Lajçak tha gjithashtu se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me Vuçiqin dhe Kurtin do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Kujtojmë se i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-ve, Gabriel Escobar, të shoqëruar nga diplomatët më të lartë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, janë takuar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e më pas me presidentin e Serbisë. Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Kurti, pasi ka biseduar me të ashtuquajturit me “Big Five” në Prishtinë, deklaroi se nevojitet një “qasje e re” për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Nga ana tjetër, Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram ka bërë të ditur se takimi me “pesëshen” ka qenë i vështirë, por beson se në periudhën e ardhshme do të gjejnë një rrugëdalje nga kriza.
/rtsh.al/