E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajme të mira nga DokuFest

Ky vit shënon edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DokuFest. Mirëpo, për dallim prej herëve të kaluara, kësaj radhe gushti do të mbetet vetëm muaj i Ramazanit, ngaqë DokuFest do të fillojë më 23 korrik dhe do të përfundojë më 31 korrik. Në garë sivjet do të jenë rreth 120 filma. Nga Albana S. Muja më 14 qershor 2011 në ora 11:58

Të hënën në mesditë, drejtori ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar - DokuFest, mbajti një konferencë të përbashkët me mbështetësin kryesor të festivalit, ProCredit Bank.

Gjatë konferencës, drejtori ekzekutiv i DokuFest, Aliriza Arënliu, shpalosi detajisht lajmet më të reja për edicionin e dhjetë të festivalit. Krahas tij, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ProCredit Bank, Florin Lila, u shpreh i kënaqur që sivjet është viti i shtatë me radhë që banka e tij e mbështetë këtë festival.

“Ne këtë festival e shohim si një moment kulturor, gjegjësisht si një aktivitet të gjerë të skenës kosovare, përderisa synimi jonë është bashkëpunimi dhe përkrahja e gjithë këtyre aktiviteteve që i kontribuojnë zhvillimit kulturor”, theksoi Lila.

Ndërkaq, Arënliu suksesin e DokuFest’it e konsideron meritë të përbashkët me sponsorët, e në veçanti me ProCredit Bank.

Arënliu bëri të ditur se datat e festivalit të sivjetmë janë ndërruar, dhe arsyeja e vetme për këtë është sepse Ramazani këtë vit i bije të jetë në muajin gusht. Natyrisht se, siç u shpreh Arënliu, gjithçka tjetër sa i përket organizimit do të funksionojë njësoj sikurse herëve të tjera, përveç datave të mbajtjes së tij - nga 23 deri më 31 korrik.

Po ashtu, dallimi tjetër është se tri kinemave të hapura, me të cilat jemi mësuar tashmë, këtë vit do t’i shtohet edhe një, duke bërë që edicioni i sivjetmë i DokuFest të ketë në dispozicion tetë kinema.
Sipas Arënliut, struktura e festivalit mbetet pak a shumë e ngjashme me vitet e kaluara.

“Mirëpo, këtë vit do të kemi edhe një retrospektivë të dhjetë filmave dokumentarë më të mirë, të shfaqur brenda këtyre dhjetë viteve sa ekziston DokuFest’i”, sqaroi ai.

E si çdo vit tjetër, festivali edhe sivjet do të fokusohet në kinematografinë e një shteti të caktuar. Për këtë vit kjo do të jetë kinematografia e Zvicrës.

Vetë festivalit, ndërkaq, do të paraprijë ekspozita e fotografisë DokuFoto, e cila do të hapet një ditë para fillimit zyrtar të festivalit, dhe në të do të prezantohet puna e një fotografi norvegjez.

Mysafir i sivjetmë i festivalit do të jetë regjisori i famshëm iranian, Mahsen Makhmalbaf, i cili përveç prezencës së tij në DokuFest do të mbajë edhe një ligjëratë për filmbërësit kosovarë dhe ata të rajonit.
Për filmbërësit edhe këtë vit do të funksionojë pjesa e paraparë për punëtoritë e festivalit, dhe ajo kryesisht do të fokusohet në filmbërjen e filmave dokumentarë që do të zhvillohen gjatë festivalit.

“Një dukuri tjetër që sa vjen e shtohet viteve të fundit është prezenca e autorëve të filmave në festival. Një prezencë kjo që po shkon diku mes 50 dhe 60 përqind të autorëve. Kjo gjë po mundëson komunikimin e publikut me autorët e filmave, menjëherë pas shfaqjes së tyre, ku audienca faktikisht po ka mundësi që aty për aty të pyes autorin mbi veprën të cilën e ka realizuar”, shtoi Arënliu, derisa po i numëronte të rejat e edicionit të sivjetmë të festivalit.

Arënliu nuk harroi të tregojë edhe atë se, festivali këtë vit ka parë një numër rekord të aplikimeve për pjesëmarrje, ngase për edicionin e dhjetë kanë aplikuar mbi 2,000 filma, ndonëse festivali ende është në finalizim e sipër. Mendohet se gjatë DokuFest 10 do të shfaqen afro 120 filma, të cilët do të jenë të klasifikuar sipas kategorive të caktuara. Numri më i madh i filmave që do të shfaqen këtë vit do të jenë filma të shkurtër, e pjesa tjetër do të jetë filma dokumentarë.

Meqë ProCredit Bank do të jetë sponsori i përgjithshëm i festivalit, banka për klientët e saj, natyrisht për ata që duan ta përcjellin DokuFest’in, do të ofrojë një zbritje prej 50 përqind për klientët që biletat i paguajnë me ndonjërën prej kartelave të bankës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›