E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika e Agimit

Drejtuesit e Flamurtarit frikësohen se mund ta ndjekin rrugën e Besëlidhjes, duke rënë edhe nga Liga e Parë, nëse në klubin kuqezi nuk bëhet një riorganizim dhe një konsolidim. Drejtori ekzekutiv, Agim Hasani, paralajmëron një mbledhje të kryesisë, ku pritet të flitet për shumëçka rreth të ardhmes së Flamurtarit, i cili ra nga Superliga pas 41 vjetësh. Nga Moral Pozhegu më 14 qershor 2011 në ora 11:56

Flamurtari u përshëndet nga Superliga e Kosovës në futboll, pas 41 vjetësh. Skuadra e moçme nga Prishtina sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë. Udhëheqësit e këtij klubi janë mërzitur për këtë fakt, ngase kuqezinjtë ishin pjesë e rregullt dhe e rëndësishme e elitës së futbollit kosovar.

Mirëpo, udhëheqësit e klubit prishtinas frikësohen se, nëse nuk bëhet një riorganizim dhe nëse nuk konsolidohen, mund ta ndjekin rrugën e Besëlidhjes, duke zbritur në Ligën e Dytë.

“Shpresoj të mos largohen lojtarët. Ata duhet ta mbajnë një përgjegjësi për rënien nga liga dhe të luftojnë për këtë skuadër edhe në Ligën e Parë, për t’u rikthyer sa më shpejt në Superligë. Duhen bërë ndryshime, ngase nëse nuk lëvizim, nuk mund të kthehemi. Liga e Parë nuk është aspak për t’u nënçmuar. Nëse nuk punon dhe nëse nuk funksionojnë gjërat, mund të biesh edhe në një kategori më të ulët garash”, thotë për Express drejtori ekzekutiv i Flamurtarit, Agim Hasani.

Ai paralajmëron se kryesia e klubit do të mblidhet sa më shpejt për të biseduar për shumë gjëra. Hasani kërkon riorganizim në klubin kuq e zi, për ta gjetur mënyrën që ky klub të rikthehet shpejt në Superligë.

“Për mendimin tim, fajet për rënien nga Superliga i kemi vetë ne, të gjithë nga pak, kryesia, shtabi teknik dhe lojtarët. Por, kryesia duhet të mblidhet dhe ta gjejë fajtorin. Aty edhe do të dihet më shumë rreth lojtarëve dhe trajnerit. Duhet ta përdorim forcën tonë, emrin e klubit dhe bashkërisht të mundohemi të kthehemi në elitën e futbollit kosovar”, vazhdoi Hasani.

Flamurtari iu bashkua Ferizajt në Ligën e Parë të Kosovës. Kuqezinjve nuk u mjaftoi fitorja ndaj Lirisë për të mbetur pjesë e Superligës. Kuqezinjtë prishtinas mund të mbeten pa lojtarët kryesorë, të cilët mund të gjejnë angazhime në klubet e Superligës. Mirëpo, Flamurtari duhet të riorganizohet dhe të bëjë ndryshime të mëdha, nëse synon rikthimin e menjëhershëm në Superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›