E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajmëtarët e vdekjes

Zbulohen vështirë, janë vdekjeprurës dhe prodhimi i tyre kushton lirë. Përkundër ligjshmërisë kundërthënëse të vrasjes së terroristëve dhe talebanëve të dyshuar pa procese gjyqësore, tregu i fluturakëve pa pilot ka filluar të “nxehet” në gjithë botën. Me hyrjen e Izraelit dhe Kinës në treg, a po përjetojmë ne rilindjen e një gare të re të armatimit?

Tanket plastike dhe modelet në miniaturë të aeroplanëve luftarakë janë të ekspozuara në zyrën në shtëpi të Steven Zalogas, ndërsa biblioteka e tij është e mbushur përplot me libra për historinë e Luftës së Dytë Botërore. Lufta është fushë e ekspertizës së Zalogas, por më shumë se kaq, lufta është biznesi i tij. Për 36 vjet me radhë, ky historian ka analizuar trendet globale në fushën e armatimit. Ai aktualisht punon për Teal Group, një firmë këshilluese për mbrojtje me seli në Fairfax, një periferi e Washingtonit.

Zaloga e di me saktësi se kur dhe ku lufta mund të jetë profitabile. Ai thotë se tanket dhe aeroplanët luftarakë tashmë e kanë vendin në librat e historisë.

Ardhmëria i takon fluturakëve pa pilot, fluturake të kontrolluara nga larg, të pajisura me elektronikë të ndjeshme për zbulim dhe armë të fuqishme me precizitet të lartë.

Këto fluturake ofrojnë pikërisht atë lloj të armëve strategjike, të cilin strategët ushtarakë e kanë deshiruar gjithmonë: ato i mundësojnë një force ushtarake që të ndërmarrë sulme, duke minimizuar njëkohësisht rrezikun për forcat e veta dhe që të ndërmarrë sulme precize dhe vdekjeprurëse, pa rrezikuar me këtë rast fare ushtarët e vetë.

Fakti shtesë se këto fluturake janë relativisht të lira, i ka bërë ato tejet të preferuara në SHBA, vend ky i cili ka përdorur këto fluturake për të ekzekutuar 2300 persona.

Pjesa më e madhe e këtyre sulmeve janë ndërmarrë në kuadër të gjuetisë kundër talebanëve, të cilët po fshehën në Pakistan, përgjatë kufirit me Afganistanin dhe në mesin e të vrarëve është edhe Anvar Al avlaki, një pjesëtar i Al qaedes i lindur në SHBA.

Zaloga tregon një tabelë, e cila tregon shifrat e buxhetit të Pentagonit. Në vitin 2002, ushtria amerikane ka shpenzuar 550 milionë dollarë për fluturaket pa pilot. Në vitin 2011, shifra ka arritur në gati pesë miliardë dollarë.

Kërkesa ka filluar të shtohet në të gjithë botën. “Lindja e Mesme do të shndërrohet në një treg të rëndësishëm për fluturaket pa pilot. Omani, Arabia Saudite, Egjipti. E më pas, natyrisht edhe Azia: Malajzia, India, Australia. Dhe Evropa: Turqia, Italia, Polonia”, beson Zaloga.

Ai beson se gjatë dekadës së ardhshme do të shiten fluturake pa pilot në vlerë prej 94 miliardë dollarë. Nëse vendos të eksportojë, atëherë SHBA-ja mund të llogaritë në një sukses të madh në fushën e eksportit. Deri me tani, SHBA-ja ka kufizuar eksportin e teknologjisë së ardhmërisë.

Por SHBA-ja gjithnjë e më shpesh po ndërmerr sulme me këso fluturake. Në veçanti zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, është avokat i fuqishëm i përdorimit të këtyre fluturakeve. Ishte pikërisht Biden ai që bindi Barack Obamën që t’i jep fund luftës në Afganistan dhe që në vend të kësaj të luftojë talebanët me fluturake pa pilot.

Flota amerikane tani përbëhet nga 230 fluturake të tilla. OKB-ja ka listuar 40 shtete, të cilat deri me tani kanë blerë fluturake pa pilot, edhe pse pjesa më e madhe prej tyre përdoren për vëzhgim nga ajri, për ç’gjë edhe janë dizajnuar fillimisht. Deri me tani, shtetet e vetme, të cilat kanë ndërmarrë sulme me këto fluturake janë SHBA-ja, Britania dhe Izraeli.

Kjo mund të ndryshojë shumë shpejtë, pasi që SHBA-ja nuk është vendi i vetëm, i cili do të përfitojë nga këto fluturake. Edhe Izraeli është mjaft aktiv në fushën e teknologjisë së ardhmërisë.

Firma Izraelite IAI tashmë ka prodhuar fluturaken Heron, e cila është në gjendje të bartë armë, fluturake këto të cilat tashmë shfrytëzohen për zbulim nga Kanadaja, Australia, Spanja, Gjermania dhe Franca.

Edhe Pekini po punon me agresivitet për të hyrë në biznesin global të këtyre vrasësve të heshtur, duke promovuar me krenari fluturaket e veta me emrat si “Dragoi” dhe “Shpata e Errët”.

Megjithatë, ekspertët besojnë se teknologjia e fluturakeve pa pilot në Kinë ende nuk është aq e avancuar, sa ajo e konkurrencës në SHBA dhe Izrael, por nuk ka asnjë dyshim se inxhinierët kinezë shumë shpejtë do ta zënë hapin me kolegët e tyre amerikanë dhe izraelitë.

Shumë ekspertë ushtarakë kanë ndjenja të përziera sa i përket këtij zhvillimi. David Ignatius, komentator i gazetës Washington Post, ka dëshmuar tashmë një simpati të madhe për programin me fluturake të administratës Obama, por ka shtuar se SHBA-ja po jep një shembull të keq, kur bëhet fjalë për ekzekutimet me anë të këtyre fluturakeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›