IRAK – Parlamenti miraton qeverinë e re të Ali al-Zaidi

BAGDAD, 14 maj /ATSH/- Parlamenti i Irakut ka miratuar sot qeverinë e re të kryeministrit Ali al-Zaidi, i cili është betuar në detyrë me vetëm një kabinet të pjesshëm, pasi ligjvënësit nuk arritën konsensus për disa pozicione kyçe, përfshirë ministritë e Brendshme dhe të Mbrojtjes, raportoi “Reuters”.
Kryeministri dhe ministrat që siguruan votëbesimin parlamentar bënë sot betimin kushtetues, duke marrë zyrtarisht detyrat e reja.
“Parlamenti votoi për t’i dhënë besimin qeverisë së kryeministrit Ali Faleh Al-Zaidi dhe programit të saj qeverisës”, deklaroi zyra e kryeministrit.
Në Irak, një qeveri konsiderohet e miratuar kur siguron mbështetjen e më shumë se gjysmës së ministrive në parlament.
Qeveria e Al-Zaidi-t pritet të ketë 23 ministra, por kabineti mbetet ende i paplotësuar, ndërsa partitë politike vijojnë negociatat për disa portofolë.
Parlamenti miratoi 14 ministra gjatë seancës, por nuk arriti marrëveshje për disa poste të mbetura, përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes.
Basim Mohammed u emërua ministër i ri i Naftës, ndërsa Fuad Hussein u konfirmua në postin e ministrit të Jashtëm.
Al-Zaidi prezantoi programin e tij qeverisës gjatë seancës parlamentare – e cila nuk u transmetua drejtpërdrejt – dhe ende nuk e ka njoftuar publikisht atë.
Kryeministri më i ri në historinë e Irakut
Al-Zaidi, 40 vjeç, kryeministri më i ri në historinë e Irakut, u mandatua për të formuar qeverinë e re më 27 prill, pasi presidenti Nizar Amedi e emëroi si kryeministër.
Ai përballet me sfida të mëdha, përfshirë çarmatosjen e milicive të mbështetura nga Irani, luftën kundër korrupsionit të rrënjosur dhe balancimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Zgjedhja e tij i dha fund një bllokade disamujore politike, gjatë së cilës ndërhyri edhe presidenti i SHBA-së Donald Trump, pasi ish-kryeministri Nouri al-Maliki ishte kandidati fillestar i koalicionit.
Al-Maliki, i afërt me Iranin, u kundërshtua ashpër nga Trump, i cili paralajmëroi ndërprerjen e çdo mbështetjeje për Irakun nëse ai do të bëhej kryeministër.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, Al-Zaidi nuk ka një histori të mëparshme në politikë apo administratë publike.
I lindur në Bagdad në një familje nga provinca jugore Dhi Qar, ai ka ndërtuar karrierën në sektorin privat dhe akademik.
Ai është diplomuar në drejtësi dhe financë dhe është anëtar i Shoqatës së Avokatëve të Irakut.
Analistët vlerësojnë se mungesa e përvojës politike është një nga avantazhet e tij kryesore, pasi në një skenë të polarizuar, profili i tij “i pastër” shihet i pranueshëm si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. //a.i/