Lamallari: Patrullimet e përbashkëta me policinë italiane në Durrës garantojnë më shumë siguri për turistët dhe qytetarët

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vlerësuar patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane në qytetin e Durrësit, duke i cilësuar ato si një garanci shtesë për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Shqipëri, veçanërisht vizitorëve italianë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri thekson se, krahas masave për parandalimin e paligjshmërive dhe forcimin e sigurisë publike, po zhvillohen edhe kontrolle për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave në bare, restorante dhe ambiente të tjera argëtimi.
Sipas ministrit, bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane synon jo vetëm rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, por edhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të përshtatshëm për pushuesit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vend.
“Patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane në Durrës janë një garanci më shumë për qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur Shqipërinë, përfshi ata italianë.
Krahas parandalimit të paligjshmërive dhe rritjes së sigurisë publike, po ushtrohen gjithashtu kontrolle edhe për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave nga baret, restorantet dhe ambientet e tjera të argëtimit.
Respekti për normat e përbashkëta, përfshi ato për sigurinë e turistëve apo qetësinë e tyre nga zhurmat përtej niveleve të lejuara i shërben një turizmi të qëndrueshëm dhe që rritet nga viti në vit”, shkruan ministri.
/rtsh.al/