E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Vijojmë punën për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë nga Siria

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Pesë shtetas shqiptarë janë riatdhesuar nga Siria dhe janë kthyer në atdhe, mes tyre tre të mitur dhe një 79-vjeçare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se e moshuara H.T., pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt Sirisë për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it, ka udhëtuar drejt Sirisë me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.

“Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, shtetasja H. T. ka qëndruar në kampin Al-Hol në Siri, ku, në kushte veçanërisht të vështira jetese, ka vijuar të kujdeset për fëmijë të mitur, përfshirë dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj”, njoftoi më tej ministri.

Sipas tij, riatdhesimi i saj dhe i të miturve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për të mundësuar kthimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe në kampet e Sirisë.

Lamallari falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me urdhër të Kryeministrit për procesin e riatdhesimit.

“Përgëzime të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konflikti”, tha ai.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë punën dhe koordinimin ndërinstitucional për vijimin e procesit të riatdhesimit të të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.

Balla përshëndet riatdhesimin e pesë shqiptarëve nga Siria dhe Iraku: Operacioni u mbyll me sukses

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur përfundimin me sukses të operacionit të riatdhesimit të pesë shtetasve shqiptarë, dy gra dhe tre fëmijë, nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla shprehu mirënjohjen për task-forcën, institucionet shtetërore dhe partnerët strategjikë që bënë të mundur kthimin e tyre të sigurt në Shqipëri.

“Ka përfunduar me sukses riatdhesimi i pesë shtetasve shqiptarë, dy gra dhe tre fëmijë, nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Mirënjohje task-forcës, strukturave shtetërore dhe partnerëve strategjikë që mundësuan kthimin e tyre në Shqipëri”, shkruan Balla.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e familjarëve të të riatdhesuarve, duke theksuar se ata kanë kontribuar në këtë proces dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.

“Një falënderim edhe për familjarët e tyre këtu, të cilët kontribuuan në këtë proces dhe me të cilët kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm”, theksoi Balla.

Operacioni i riatdhesimit konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në përpjekjet e autoriteteve shqiptare për kthimin dhe riintegrimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›