E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari mbledh prefektët e 12 qarqeve, përcjell porositë e Ramës: Komunikim më i shpejtë dhe zgjidhje konkrete për qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit, ku në fokus ishte forcimi i komunikimit me qytetarët dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratës publike në territor.

Përmes prefektëve, të cilët përfaqësojnë një hallkë të rëndësishme të shtetit në territor, ministri përcolli porositë e Kryeministrit për një komunikim sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët.

Lamallari theksoi se çdo ditë shumë qytetarë i drejtohen institucionit të Prefektit për shërbime të ndryshme, për informacion apo për të kërkuar zgjidhje për problematika që prekin jetën e tyre. Për këtë arsye, çdo kërkesë dhe shqetësim duhet të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin e duhur.

“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion i qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe japim zgjidhje”, shprehet ministri Lamallari, duke nënvizuar se përgjegjësia e institucioneve nuk përfundon me marrjen e një kërkese, por duhet të shkojë deri te adresimi konkret i saj.

Sipas ministrit, besimi te institucionet ndërtohet përmes pranisë, komunikimit dhe zgjidhjeve konkrete, duke e bërë qytetarin të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar.

“Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete. Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik në çdo cep të vendit”, thekson Lamallari.

Në përfundim të mesazhit të tij, ministri e lidhi këtë qasje me ‘BESA’ dhe ‘PraniaBesnike’, si një standard për një administratë më të përgjegjshme, më të afërt dhe më të besueshme për qytetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›