Lamallari takon ambasadorin e Spanjës: Fokus te drejtësia, integrimi evropian dhe bashkëpunimi institucional

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, ku u trajtuan çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari theksoi mbështetjen e vazhdueshme që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe vlerësoi qëndrimin pozitiv të qeverisë spanjolle për reformat në sistemin e drejtësisë.
“Spanja ka shprehur qartë mbështetjen e saj të palëkundur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e drejtësisë,” – u shpreh ministri.
Gjatë takimit, Lamallari siguroi ambasadorin për vijimin e bashkëpunimit në sektorin gjyqësor, duke përfshirë shkëmbimin e eksperiencave, dixhitalizimin e sistemit, si dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“E garantova Ambasadorin mbi vijimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe zbatimin efektiv të Marrëveshjes së Ekstradimit mes dy vendeve tona,” – theksoi Lamallari.
/rtsh.al/