Lamerti ka dhëndërrin shqiptar

Zbulohet lidhja e kryetarit të Bundestagut gjerman, Norbert Lamert, me Shqipërinë. Ai ka zbuluar se dhëndri i tij është shqiptar, madje ka kryer shërbimin ushtarak në qytetin e Beratit. Këtë lidhje me vendin tonë ai e ka bërë publike vetëm ditën e djeshme, ndërsa ndodhej në qytetin e Beratit për të bërë një vizitë miqësore. “Përveç interesimit që kisha për këtë qytet për vlerat e tij të pazëvendësueshme, unë kam dhe një lidhje gjaku me Shqipërinë, sepse dhëndrin e kam nga Shqipëria dhe detyrimin ushtarak e ka kryer në Berat”, ka deklaruar Lamert nga qyteti i Beratit. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se dhëndëri i Lamert është shqiptari Klarent Kazhani, një emër jo i njohur në Shqipëri, për të cilin është e vështirë të gjesh informacione. Ndërkohë, vetë kreu i Bundestagut gjerman, Lamert, ka deklaruar më parë se kjo nuk ishte vizita e tij e parë në Shqipëri. Kjo është hera e parë që ai vjen në Shqipëri zyrtarisht, si kryetar i Parlamentit gjerman, pasi në vizitat e mëparshme ai kishte qenë si një mik i familjes së dhëndrit të tij. Ndërkohë, duket se vizita e djeshme e kryeparlamentarit gjerman në qytetin e Beratit ishte një vizitë miqësore, dhe sikurse deklaroi edhe ai vetë, “e kishte parë vetëm në reklama dhe i kishte pëlqyer shumë”. “Unë zgjodha qytetin e Beratit për të vizituar për dy arsye: atë të vlerave kulturore që ka ky qytet 2400-vjeçar, i cili ka edhe një bukuri mahnitëse me ndërtime karakteristike, ndërsa arsyeja e dytë është se në këtë qytet dhëndëri im ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Prandaj unë zgjodha këtë qytet të mrekullueshëm. Në ato qytete që unë kam kryer detyrimet ushtarake nuk kanë qenë kaq të bukur, por dhëndri im ka pasur privilegj që ka kryer një shërbim ushtarak në një qytet kaq të mrekullueshëm si Berati”, ka deklaruar Lamert. Gjatë vizitës së tij, kryeparlamentari Lamert është pritur nga kryetari i Bashkisë së Beratit dhe stafi i kësaj bashkie. Në këtë vizitë, Lamert shoqërohej nga gruaja dhe vajza e tij. Gjatë vizitës, kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i kujtoi vizitorit gjerman edhe vizitën e 25 viteve më parë të kryeministrit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, ndërsa shprehu premtimin se do të ishte ndjekës i ideve të tij, në lidhje me këtë qytet. “Ne, si parlament gjerman, kemi treguar interesim të madh për zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe në veçanti ne kemi investuar në ndërtimet e ujësjellësve dhe rehabilitimet e rrjeteve të ujësjellësve. Unë jam në dijeni të vizitës së Shtrausit dhe do të jem mbështetës i ideve të tij për zhvillimin e Shqipërisë”, ka premtuar Lamert. Pas vizitës në qytetin e Beratit, Lamert, i shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij, kanë shkuar në pikën turistike të Drobonikut, ku kanë marrë pjesë në drekën e organizuar nga Bashkia e Beratit. Ndërkohë, në ditën e sotme pritet që kreu i Bundestagut të nisë takimet e tij zyrtare në Tiranë, me përfaqësuesit e klasës politike shqiptare.