Xhufi: Si mund te pajtohen LSI e PS

Lëvizja Socialiste për Integrim mendon se për të rilidhur urat e bashkëpunimit me PS-së, pikësëpari socialistët duhet të tërhiqen nga mbrojta e ndryshimeve kushtetuese dhe t’u japin fund sulmeve ndaj LSI-së. Pëllumb Xhufi në një intervistë për “Korrierin” thotë se falë situatës aktuale nuk rrezikohet vetëm bashkëpunimi parazgjedhor, por edhe ai paszgjedhor. I pyetur nëse të majtët do të kushtëzoheshin për të ardhur në pushtet, pas zgjedhjeve të 2009-ës nga votat e LSI-së, dhe se a do të kërkonte kjo parti detyrimisht postin e kryeministrit, Xhufi thekson se gjithçka do të vendoset pas zgjedhjeve, por gjithçka do të varet edhe nga klima parazgjedhore. E ndërsa nuk pranon imponimin që detyrimisht LSI-së t’i takojë karrigia e kryeministrit, personalisht ai vendos dy kushte: “Nëse unë do të kisha në dorë të vendosja ndonjë kusht në rast të një bashkëqeverisjeje pas zgjedhjeve, ky do të ishte që z. Islami të mos emërohej kurrsesi ministër për Çështjet Zgjedhore dhe z. Xhafaj mos të emërohej kurrsesi ministër i Drejtësisë”.
-Pas mbledhjes së 50 mijë firmave, a keni frikë në një rrëzim të mundshëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese të mbajtjes së referendumit. Sipas Arben Isarajt, referendumi për ndryshimet kushtetuese nuk mund të mbahet.
Pëllumb Xhufi: Së pari, gjej të mjerueshme që “njerëz të ligjit” brenda PS-së angazhohen për të gjetur gjilpërën në kashtë, për të parandaluar apo për të shkurajuar inicimin e referendumit mbi ndryshimet skandaloze kushtetuese, ku ata me protagonizmin e tyre luajtën deri rolin e koperturës në favor të ideatorit e përfituesit të ndryshimeve në fjalë, që është Sali Berisha dora vetë. Është një tregues i rrugës së gjatë, në drejtim të gabuar, që drejtues të PS-së kanë përshkuar në këta muaj të fundit, duke braktisur interesat e popullit të majtë e duke tradhtuar deri edhe kulturën e majtë, që në traditën tonë identifikohet me shtetin unitar, iluminist, ligjor, ateist e demokratik të projektuar nga mendjet e ndritura të Rilindjes si: Sami Frashëri, Pashko Vasa, Fan Noli, Avni Rustemi, Mihal Grameno etj., dhe të rikonfirmuar si të tillë nga gjithë ata që iu bashkuan në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke vepruar kështu, këta zotërinj u kthyen në një lloj shtojce e Sali Berishës dhe e konceptit shtetëror që ai bart, dhe që është shteti i tipit feudalo-turkoshak, i ndarë sipas vijave krahinore e fetare e i ngritur mbi baza korrupsioni, arbitrariteti e besnikërie të verbër të karakterit tribal. Ky është shteti i Esat Pashë Toptanit, nga i cili edhe vetë Ahmet Zogu u përpoq të diferencohej”.
-Sa të rrezikuar e shikoni fitoren në zgjedhjet e 2009-ës, falë ndarjes PS-LSI?
“Modeli zgjedhor i zgjedhur tinëzisht nga PS-PD, synon krijimin e një sistemi bipartiak, duke eliminuar partitë e tjera. Jo më kot ideatorët e këtij sistemi ishin edhe kësaj radhe politikanë të dështuar, që tashmë riciklimin e tyre politik e shohin të mundshëm vetëm duke zgjedhur në tavolinën e pazareve politike një model të përbindshëm, si ai proporcional-rajonal, i vetmi që mund të përputhet me egon e tyre për të qenë përsëri në Parlament, për të qenë të pakonkurrueshëm dhe për të mbetur kështu në “protokollin” e politikës, të përfitimeve materiale dhe të “jetës së salloneve”. Kësaj radhe, këta mjeshtër të matematikës elektorale nuk mundën t’i imponojnë “formulat” e tyre, veçse me një bashkëpunim të hapur me “Sali Gërdecin”, dhe kjo padyshim i ka shtuar një tjetër penelatë të zezë figurës së tyre, edhe ashtu të përçmuar e të urryer nga socialistët e vërtetë. Çarja që egoizmi i tyre i pështirë krijoi brenda së majtës, sigurisht nuk paralajmëron për mirë për fitoren e së majtës në zgjedhjet e 2009. Këta njerëz jo vetëm nuk janë në gjendje të motivojnë masën socialiste, por përkundrazi, me imazhin dhe me historinë e tyre personale të karakterizuar nga inkonsekuenca politike ekstreme, nga intriga e abuzimet e shumta, janë në gjendje vetëm të demotivojnë elektoratin socialist. Pikërisht këtu e shoh unë rolin e polit të ri realisht opozitar: të grumbullojë rreth vetes potencialet e majta dhe opozitare, që ndjehen të braktisur e të tradhtuar nga lidershipi aktual i PS-së. Në këtë kuptim, krijimi i kësaj alternative përbën një antidot për rrjedhjen apo mosshprehjen e votës së majtë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo e shpjegon edhe tërbimin e Berishës dhe të “socialistëve” të kapur prej tij, që pikërisht këto ditë po sulmojnë hapur LSI-së, ngaqë kjo po bën të dështojnë ujditë e tyre të pista në kurriz të shqiptarëve dhe të demokracisë. Sigurisht që qëndrimi i egër i lidershipit të PS-së edhe në periudhën pas pabesisë së kryer ndaj LSI-së dhe partive të tjera opozitare nëpërmjet ndryshimeve vrastare kushtetuese, jo vetëm që e helmon më tej klimën e marrëdhënieve tona në këtë fazë parazgjedhore, por krijon premisa negative edhe për periudhën paszgjedhore. Dhe një gjë e tillë, padyshim i rëndon përgjegjësit e lidershipit të PS-së para socialistëve dhe para së majtës, në përgjithësi”.
-Cilat mund të jenë kërkesat e LSI-së që të rifillojë bashkëpunimi, veç ndryshimit të Kushtetutës që ju e keni kërkuar dhe është refuzuar?
“Pikësëpari, lidershipi i PS-së duhet t’i japë fund fushatës së provokacioneve e të përbaltjes, që ka shpërthyer kundër LSI-së. Duhet ta bëjë këtë sa më parë, posaçërisht për sa u përket ndryshimeve kushtetuese, kundër të cilave nuk është vetëm LSI-ja, por është i gjithë opinioni i shëndoshë shqiptar e i majtë. Ne do t’u kërkonim drejtuesve të PS-së, që për çështjen e referendumit, që mbetet e vetmja mundësi për të riparuar batërdinë kushtetuese të 21 prillit, të paktën t’u lënë të lirë socialistët të vendosin në vullnetin e në lirinë e vet. Nga ana tjetër, ne kemi arsye të dyshojmë se “komedia” Rama-Berisha ende nuk ka mbaruar: faza e ardhshme mund të jetë ajo e hartimit të kodit elektoral, ku deformimet kushtetuese mund të materializohen e të detajohen në shtrembërime të panumërta të sistemit, duke filluar nga riorganizimi i KQZ-së, që flitet se do të vihen në varësi të Ministrisë së Brendshme”.
-Para, por edhe pas zgjedhjeve do të lidhen aleanca mes forcave politike. A do të jetë LSI-ja krah socialistëve?
“Sjellja e deritanishme e lidershipit të PS-së ka treguar se në raportet me aleatët, ky lidership nuk njeh formë tjetër bashkëjetese, veç asaj të “Dushkut”. Tashmë janë bërë publikë propozimet e turpshme që z. Rama u ka bërë drejtuesve të disa partive aleate, për t’u “falur” ndonjë vend deputeti, me kusht që të heshtin apo të duartrokasin çdo gjë që thotë e bën ai, veçanërisht kur bëhet fjalë për të goditur LSI-në. Dhe gjërat që bën e thotë z. Rama këto kohët e fundit, kanë tronditur rëndë jo pak ndërgjegje socialistësh. Në këtë kuptim, pas goditjeve thelbësore që iu bënë Kushtetutës, mbetet të shihet se sa do të reflektojë lidershipi i PS-së, që të paktën mos të insistojë në kursin vetëvrasës e “proberishian”, duke vazhduar bashkëpunimin e paprinciptë me Berishën, duke thelluar lajthitjet ligjore me Kodin elektoral dhe duke vazhduar “betejën” absurde me aleatët. Ne kemi gjithë durimin për të parë se cilët do të jenë qëndrimet e lidershipit të PS-së për këto çështje, por kemi edhe gjithë vendosmërinë për t’iu kundërvënë çdo tentative të re për të na dëmtuar”.
-Po nëse numri i deputetëve tuaj do të kushtëzonte ardhjen e të majtëve në pushtet, do t’i bashkoheshit PS-së e PSD-së pa ndonjë kusht, apo do të kërkonit në këmbim postin e kryeministrit? Në të kundërt, vendi do të rishkonte në zgjedhje të parakohshme.
“Për një gjë dua t’ju siguroj: qëndrimet tona dhe ndarjet tona me PS-së, siç e ka provuar edhe koha, kanë qenë thjesht e vetëm për çështje parimore. Si të tilla, ato nuk kanë qenë asnjë herë emocionale e reaktive dhe nuk janë përcaktuar gjithashtu asnjëherë nga interesa të ngushta. Se cili do të jetë niveli i bashkëpunimit apo “kushtet” për bashkëpunim që, siç thoni ju, LSI-ja do të vendoste pas zgjedhjeve, kjo sigurisht do të ndikohet nga klima e luajalitetit dhe e principialitetit që do të karakterizonte periudhën parazgjedhore. Për fat të keq, për arsyet që rreshtova më lart, një klimë e tillë është ndër më të zymtat, dhe kjo për faj të lidershipit të PS-së. Sa për kushte, nuk më pëlqen një term i tillë, por me që më pyesni, po përgjigjem fare personalisht: nëse unë do të kisha në dorë të vendosja ndonjë kusht në rast të një bashkëqeverisjeje pas zgjedhjeve, ky do të ishte që z. Islami të mos emërohej kurrsesi ministër për Çështjet Zgjedhore dhe z. Xhafaj mos të emërohej kurrsesi ministër i Drejtësisë. Këta të dy kanë turpin e përgjegjësinë për shkatërrimin në mënyrë të përsëritur e të ndërgjegjshme të sistemit zgjedhor e ligjor-kushtetues në vend. saqellari@korrieri.com