E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira për Sabri Godon, politika përulet para plakut të urtë

Dy orë zije dhe homazhesh në sallën e Parlamentit për njeriun që është vlerësuar prej të gjithëve për gjykimin e prehtë dhe të qetë edhe në ditë krizash të vështira

Thuajse e gjithë politika e vendit përkuli kokën dje në shenjë nderimi para arkëmortit të mbuluar me flamur kombëtar, të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, i ndarë nga jeta dy ditë më parë, në moshën 82-vjeçare. Presidenti, Kryeministri, personalitete të politikës së majtë e të djathtë, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik dhe shumë njerëz të artit dhe kulturës e qindra qytetarë, i bënë dje nderimet e fundit babait të Kushtetutës dhe njërit prej politikanëve më të rëndësishëm të Shqipërisë në këto 20 vitet e fundit. Homazhet u organizuan gjatë dy orëve, në hollin e selisë së Parlamentit.

Në funeralin e dytë të madh brenda vetëm pak orëve, ajo zonë e Tiranës ku kryhej ceremonia dukej sikur për një moment kishte ngrirë në zi, ndërsa njerëzit të veshur për ceremonial mortor hynin e dilnin vazhdimisht nga godina e Parlamentit. Trupi i pajetë u përcoll nga familjarët prej shtëpisë dhe u mor nga trupa e nderit në hyrje të Parlamentit, ku edhe u vendos për të pritur homazhet dhe takimin e fundit.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi; kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, një grup deputetësh i Partisë Socialiste i kryesuar nga Gramoz Ruçi, kreu i LSI-së Ilir Meta, djali i të ndjerit Leka Zogu I dhe drejtues apo politikanë të tjerë dhe sigurisht edhe krerë e anëtarë të Partisë Republikane, të cilën Godo themeloi dhe udhëhoqi, ndaluan për disa çaste para arkivolit për t’i shprehur atij respektin dhe nderimin.

Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur zhvilluan dje ish-presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-kryetari i Kuvendit, Skënder Gjinushi; ndërsa më parë kishte kaluar ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, deputetë të PD-së, ambasadorët e ShBA-ve, OSBE-së, dhe BE-së në Tiranë, si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, artistë, gazetarë dhe qytetarë e të njohur të tij. Personalitetet e larta kryen homazhet në heshtje të plotë, duke evituar deklaratat për median

Dje qeveria shqiptare në nderim të Godos shpalli zi kombëtare nga ora 12.30 deri në 14.30. Sipas vendimit, në institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 14.30 u mbajt një minutë heshtje. Krerët e shtetit, personalitete të politikës, artit e gazetarisë nderuan figurën e Godos përgjatë dy orëve, e më pas plaku i urtë i politikës, siç është cilësuar, u përcoll drejt varrezave të Tufinës, në vendin e përzgjedhur nga të afërmit për t’u prehur përjetësisht.

Ditët e fundit të Sabri Godos

Prej 5 muajsh i ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri dhe ndodhej prej disa ditësh nën kujdesin intensiv shëndetësor të mjekëve në Sanatoriumin e Tiranës. Edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, megjithëse shëndeti i tij u stabilizua përkohësisht, gjendja e tij mbeti e rëndë. Sipas mjekëve, Godo vuante nga likidi pleural (ujë në mushkëri), një sëmundje kjo nga e cila ai ka pasur probleme në mënyrë kronike. Pas trajtimit të bërë nga mjekët e Sanatoriumit, gjendja e tij shëndetësore u paraqit për një farë kohe e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën, por duket se situata nuk ka qenë e qëndrueshme. Mjekë të spitalit i thanë gazetës se i ndjeri kishte kërkuar të largohej nga spitali për në shtëpi, duke lënë të kuptohet se ai e dinte që ndodhej në momentet e fundit dhe kërkonte për veten një fund të denjë pranë njerëzve të tij. Mjekët që e kanë vizituar thanë se ai vazhdoi gjatë gjithë kohës të ishte i kthjellët.

Jetëshkrimi, kush ishte “babai” i Kushtetutës

82 vjeç, plaku i urtë është shkrues i Kushtetutës së 1998-s, themelues i Partisë Republikane, një nga mendjet më të ftohta dhe më me ndikim në politikën shqiptare dhe njëkohësisht shkrimtar i disa romaneve historikë mjaft të vlerësuar e gurë themeli të letërsisë historike shqiptare. Ai u lind në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën fillore e kreu në qytezën e lindjes, dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë. Ndërpreu studimet përgjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga ish-Jugosllavia. Prej kësaj kohe ai u kthye në një njeri të letrave. I përjashtuar nga Partia Komuniste edhe pse u angazhua si partizan që në moshë të njomë, pas martesës me një vajzë nga një derë e madhe si Vrionët, të cilët regjimi i shihte si armiq, Godo i shpëtoi një fati më të keq falë romanit për Ali Pashë Tepelenën, që mesa duket i kishte pëlqyer diktatorit Hoxha. Siç tregon vetë në një intervistë autobiografike: “Them se, po të mos kisha botuar në fillim ‘Ali Pashën’, që u pëlqye dhe u përkrah nga vetë Enver Hoxha dhe më pas ‘Skënderbeun’, atëherë them se mund të kisha përfunduar edhe më keq”. Letërsinë në fakt ai e filloi më herët me romane, si “Plaku i Butkës” në vitin 1966, “Zëra nga burime të nxehta”, libër me tregime, por kulmin e arriti me romanin historik “Ali Pashë Tepelena” i botuar fillimisht në 1970 dhe më pas romanin historik “Skënderbeu” më ’75-ën.

Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet dhe mbrojtësi i parë i të drejtës së pronës, një nga themelet e partisë së tij. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme. Sabri Godo ka qenë një nga hartuesit (bashkëkryetar i komisionit) kryesorë të Kushtetutës së 1998-s. Ishte një nga të paktët njerëz mendimi i të cilit kërkohej për të sheshuar një sherr. Një farë gjyqtari i urtë, që sidoqoftë nuk e mohoi kurrë krahun të cilit i përkiste.

Vlerësimet

Kryeministri Sali Berisha:

“Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, politikanit të urtë dhe të mençur, themeluesit të Partisë Republikane në Shqipëri, shkrimtarit të shquar dhe mikut tim, Sabri Godo, është një humbje e madhe për ju, politikën dhe letrat e Shqipërisë. Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit”

Presidenti Bamir Topi

“Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike”

Kreu i PS Edi Rama:

“Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare, i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›