E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Tiranë, vdesin nga zjarri dy bashkëshortët dhe vajza 5 vjeç

SHKRUAN: Habjon Hasani 05-12-2011 12:21

Një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike në kondicioner i ka marrë jetën Genci Spahiut, gruas së tij Florinda dhe vajzës Jonida. Shpëton mrekullisht vajza më e vogël e familjes, Dea, e cila ndodhet në spital

Tiranë Tre anëtarë të një familjeje shuhen nga flakët që përfshinë apartamentin e tyre, ndërsa shpëton mrekullisht vajza e vogël. Tragjedia ndodhi në familjen Spahiu në Tiranë, ku dy bashkëshortët 35-vjeçarë, Genci dhe Florinda si dhe vajza 5-vjeçare Jonida janë gjetur të vdekur brenda në shtëpi. Policia ka mundur të gjejë gjallë Dean, më të voglën e shtëpisë, e cila ndodhet në reanimacionin e pediatrisë, sipas mjekëve ende në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Derhemi”, pranë lagjes “Hoxha Tahsim” në Tiranë, rreth orës 01:15 të mëngjesit të së dielës. Shkak është bërë një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike në prizën e kondicionerit, i pasuar edhe nga shpërthimi i një bombole gazi. Familja Spahiu jetonte në katin e tretë të pallatit në rrugën “Derhemi”. Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë dhe forcat zjarrfikëse, pasi kanë dëgjuar shpërthimin e bombolës në apartamentin e familjes Spahiu. Fillimisht, fqinjët kanë tentuar të hapin derën, e kur e kanë pasur të pamundur të ndihmojnë bashkëshortët, kanë lajmëruar përmes një telefonate në sallën operative të policisë. Më pas, zjarrfikësit së bashku me policinë kanë shpërthyer derën e shtëpisë, nga ku kanë konstatuar dhe vdekjen e tre anëtarëve të familjes. Një pjesë e mirë e shtëpisë ishte përfshirë nga flakët, ndërsa mësohet se Florinda Spahiu, së bashku me vajzën e saj, Jonidën janë gjetur pranë tualetit të shtëpisë nga policia. Ndërsa 35-vjeçari Genci Spahiu është gjetur i ulur në divan, ndërsa kishte mbështjellë me trup vajzën e tij Dea Spahiu, e cila tashmë ndodhet nën trajtim intensiv mjekësor. Sipas policisë, babai dhe vajza që është ende gjallë kanë tentuar të dalin nga banesa, por e kanë pasur të pamundur. Genc Spahiu 35 vjeç, e shoqja Florida Spahiu 35 vjeç si dhe fëmijët e tyre Jona Spahiu e Dea Spahiu me origjinë nga Pogradeci jetonin me qira në banesën e përfshirë nga zjarri në rrugën "Derhemi" në Tiranë. Sipas ekspertëve të policisë, një nga shkaqet e tragjedisë është asfiksia që ka shkaktuar zjarri, ndërsa mendohet se anëtarët e familjes kanë qenë në gjumë në një pjesë të madhe të kohës. Kur janë zgjuar, ka qenë shumë vonë për të shpëtuar duke dalë jashtë, pasi tymi i ka asfiksuar. Ekspertimi i parë në vendngjarje i ekspertëve të policisë tregoi se kasa e brendshme e kondicionerit kishte pësuar një “shpërthim elektrik” e duke u nisur pikërisht nga kjo e dhënë ekspertët mendojnë se kasa e kondicionerit mund të jetë burimi i zjarrit. Fqinjë të familjes thanë se janë ndërgjegjësuar për atë që po ndodhte, vetëm pasi është dëgjuar shpërthimi i bombolës së gazit, ndërsa brenda shtëpisë dëgjoheshin dhe zëra të mbytur që kërkonin ndihmë.

Viktimat

Genci Spahiu, 35 vjeç

Florinda Spahiu, 35 vjeç

Jonida Spahiu, 5 vjeç

E mbijetuar

Dea Spahiu, e cila

ndodhet në reanimacion

Fqinjët: Njoftuam policinë pas shpërthimit të bombolës

Fqinjët e familjes Spahiu kanë qenë të tronditur, gjatë gjithë ditës së djeshme për tragjedinë e ndodhur fare pranë tyre. Ata janë shprehur se kanë kuptuar se çfarë po ndodhte vetëm pasi kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm. “Ishte ora një e ca e natës dhe pati një shpërthim. U duk sikur ishte bombë. U terrorizuam dhe dëgjuam të bërtitura dhe thirrje për ndihmë. Ne njoftuam policinë, por të tjerë duket se e kishin njoftuar pak para nesh. Në fillim menduam se ishte bombë dhe nuk ndërhymë pa ardhur forcat policore”, - u shpreh dje një prej banorëve. Fqinjët e familjes ku ndodhi tragjedia tregojnë se dy bashkëshortët Spahiu dhe vajzat e tyre kishin disa vite që kishin ardhur në Tiranë. “Genci punonte në një ofiçinë me të atin, ndërsa nusja merrej me punët e shtëpisë. Ishin njerëz shumë të urtë e në punë të tyre. Është tragjedi e madhe, sepse u shuan si familje. Zoti i dhëntë jetë vajzës së tyre të vogël”, -shprehet fqinji i pallatit ku banonin viktimat. Sipas dëshmive, mbërritja e policisë dhe e zjarrfikëses në vendngjarje u realizua rreth 10 minuta pasi është dëgjuar shpërthimi i bombolës, ndërsa vetë fqinjët shprehen se para shpërthimit të bombolës nuk kanë dëgjuar thirrje për ndihmë, duke hedhur dyshime se zjarrin mund ta ketë shkaktuar shpërthimi i bombolës së gazit. Ata tregojnë më tej se policia ka shpërthyer derën, e cila nuk hapej nga jashtë, por pa mundur të shpëtojnë burrë e grua dhe vajzën e tyre 4-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›